Financa

Punëtorët e Dubai-t luftojnë me rritjen e kostos së jetesës


Ditët e fundit, transportuesit e dërgesave ushqimore në Dubai nuk po funksionojnë si në ditët normale.

“Ata janë të gjithë duke fjetur”, ka thënë një portier i distriktit qendror Bur Dubai.

Motoristët e dërgesave të ushqimit për kompaninë Talabat kanë hyrë në një grevë të paligjshme që të protestojnë për pagat e tyre të ulëta, pasi rritja e kostos së jetesës ndezi trazirat mes punëtorëve më të varfër.

Shpërthimi i rrallë i trazirave industriale në shtetin e Gjirit vjen, pasi çmimet e karburantit janë rritur që nga pushtimi rus i Ukrainës.

Kjo ka ulur pagën e udhëtarëve që blejnë vetë benzinën e tyre. Me inflacionin që godet produkte të tjera si ushqimi, standardet e jetesës po bien për punëtorët që sigurojnë jetesën me paga të pakta.

“Pagat janë shumë të ulëta dhe benzina është shumë e lartë. Ky është problem, të gjithë e ndalën punën”, ka thënë një nga motoristët e dërgesave në Talabat.

Ata kanë kërkuar të gjithë rritje rroge dhe kompania ka pohuar se është e hapur për diskutime “përmes kanaleve të duhura dhe në një mënyrë konstruktive”.

Talabat, e cila ka 20 mijë motoristë në mbarë vendin, ka thënë se kishin të ardhura mesatare, me rreth 70 për qind të motoristëve që javën e kaluar shprehën kënaqësinë për pagën e tyre.

“Megjithatë, e kuptojmë se realitetet ekonomike dhe politike po ndryshojnë vazhdimisht dhe ne gjithmonë do të vazhdojmë të dëgjojmë se çfarë kanë për të thënë motoristët”, ka deklaruar kompania.

Greva dhe puna e sindikalizuar janë të jashtëligjshme në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku autoritetet janë të shpejtë për të shuar çdo shfaqje të mospajtimit, qoftë në lidhje me politikën apo kushtet ekonomike.

“Kjo është shenjë se sa të vështira janë bërë gjërat për shoferët e dërgesave me rritjen e fundit të kostos së karburantit”, ka pohuar  James Lynch, drejtor themelues i një grupi kërkimor për të drejtat e njeriut.

Gjatë viteve, punëtorët kanë organizuar grevë me ndërprerje dhe shoferët e taksive kanë ndalur punën në shenjë proteste ndaj kushteve.

Por skuadrat e policisë së Dubai-t kanë shkatërruar ose kërcënuar protesta të tilla dhe drejtuesit e aksioneve të grevës janë dëbuar më parë.

Më e fundit protestë vjen pasi aktiviteti më i gjerë ekonomik në Emiratet e Bashkuara Arabe rritet, falë një fluksi të banorëve të rinj që nga fillimi i pandemisë.

Po ashtu, prej hyrjes së rusëve të pasur që nga shpërthimi i luftës në Ukrainë dhe çmimeve të larta të naftës që kanë rritur varësinë nga hidrokarburet e Gjirit.

Kjo demografi e re, duke përfshirë emigrantë të pasur dhe miliarderë të kriptomonedhave, ka mbështetur tregun për pronat, shitësit luksoz me pakicë dhe restorantet e nivelit të lartë.

Megjithatë, shumica e 3.5 milionë banorëve të Dubai-t përballen me vështirësi.

Jashtë pikave të karburanteve janë shfaqur radhë të gjata në prag të rritjes së çmimeve të qeverisë, të cilat vendosen çdo muaj në përputhje me çmimet globale.

Teksa subvencionet për shërbimet komunale dhe ushqimin kanë ndihmuar në kufizimin e ndikimit, çmimet e larta të energjisë po ndikojnë në modelet e shpenzimeve të familjeve.

Gjithashtu, inflacioni i ulët i mëparshëm para pandemisë do të thotë se rritja e çmimeve ndjehet më fort tani.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore