Kosova

Punësimet familjare në KEK, Murati: Është tentim për ta njollosur punën e mirë të Qeverisë


Hekuran Murati

Njëjtë si shefi i tij i Qeverisë, edhe Hekuran Murati, Ministri i Financave në mënyrë kategorike ka mohuar të gjitha pretendimet dhe thashethemet se në Korporatën Energjetike të Kosovës, janë punësuar familjarë ose militantë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas Muratit, këto pretendime janë tentime të radhës për ta njollosur punën pa asnjë skandal të Qeverisë Kurti II.

“Po mundohen disi ta lidhin me Lëvizjen Vetëvendosje dhe ta faturojnë asaj, ka një dallim substancial fillimisht kjo nuk ka të bëjë fare me lëvizjen Vetëvendosje, por normalisht kur nuk ka ku të akuzohet tjetër Qeverisja pastaj shihen të gjenden tre katër veta që mund të kenë postuar ndonjë foto si mbështetës të Lëvizjes Vetëvendosje nga 100 e sa që janë pranuar dhe me këto ngjitet etiketa që paska pas diçka qeveria”, ka thënë Murati nga foltorja e Kuvendit.

Ministri Murati, nuk ka harruar ta thumbojë edhe 20 vitet e kaluara qeverisëse në Kosovë, për punësimet familjare në ndërmarrjet publike duke shtuar se “opozita po kritikon për çështjet dhe problemet që veti i ka shkaktuar”.

“Vetëm për të bërë një krahasim, a keni dëgjuar ndonjëherë në 20 vitet e kaluara që është shpallur ndonjë konkurs në KEK në Telekom apo në Post, unë nuk e kam dëgjuar kurrë, sepse mijëra janë punësuar me lista, nuk ka pasur as konkurs, tash ka konkurs për herë të parë, është procesi ankimor, mirëpo jo me kësi lloj manipulimesh që të fajësohet qeveria”, ka shtuar ai.

“Sa për KEK-un, që po përmendet, nëse doni me e pa tamam rezultatin e punës tuaj, qeverisjeve tuaja të kaluara, shikojeni Telekomin”, i tha Murati opozitës. “KEK-u u shpëtua pikërisht sepse Lëvizja Vetëvendosje s’iu ka lënë me bë me KEK-un çka keni bë me Telekomin”, tha ai.

Paga Minimale

Tutje, Ministri Murati duke replikuar me ish-ministren e Financave, Hykmete Bajrami ka thënë se paga minimale do të rregullohet shumë shpejt, kështu duke mos dhënë shumë detaje.

“Ka pasur kundërshtime nga sindikatat, kanë arsyet e veta jo të qëndrueshme sepse asnjë anëtar i atyre sindikatave nuk preket nga ky vendim as nga paga minimale, por janë arsye politike të cilat sindikatat nuk do të duhej të bënin politikë”, është shprehur Murati,

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore