Aplikacione

Puna në distancë zgjerohet për të gjithë stafin në Facebook


Media sociale, Facebook, ka njoftuar se do të lejojë të gjithë punonjësit e saj që të mund të punojnë larg zyrës dhe ta bëjnë këtë edhe pasi të ketë mbaruar pandemia e Covid-19.

Agjencia e lajmeve, BBC, tregon se kompania u ka thënë punonjësve se “kushdo, roli i të cilit mund të bëhet në distancë mund të kërkojë punë në distancë”.

Kjo lëvizje e Facebook-ut vjen në kundërshtim me firmat e tjera të mëdha të teknologjisë si Apple-i dhe Google-i, të cilat, gjatë kohëve të fundit kanë përmbysur kushtet pandemike të punës, duke i thënë stafit të kthehet në zyrë në muajt e ardhshëm.

Mark Zuckerberg, shefi ekzekutiv i Facebook-ut, ka deklaruar për stafin se ai po planifikon të zgjerojë punën në distancë deri në gjysmën e vitit 2022.

Më parë, Zuckerberg-u ka vënë në dukje se gjysma e 60 mijë punonjësve të kompanisë mund të punonin nga shtëpia brenda një dekade.

Për sa u përket zyrave të kompanisë, ato pritet të hapen me kapacitet të plotë në muajin tetor, por punonjësit pa leje për të punuar në distancë do të duhet të shkojnë nëpër zyra të paktën në gjysmën e kohës.

Ndërkohë, një ekzekutiv i Facebook-ut, i cituar nga Wall Street Journal, nuk ka pranuar të tregonte se sa punonjës kishin aktualisht leje për të punuar nga shtëpia, megjithëse ka treguar se kompania kishte miratuar rreth 90 për qind të kërkesave të tyre.

Kompania ka deklaruar për BBC se politikat e reja të punës në distancë do të zbatohen vetëm për punonjësit e Facebook-ut dhe jo për nënkontraktorët, të cilët përdoren gjerësisht për të kryer moderimin e përmbajtjes dhe detyra të tjera.

Në muajin nëntor të vitit 2020, moderatorët e përmbajtjes akuzuan hapur kompaninë e mediave sociale për detyrimin e tyre të kthimit përsëri në zyrë.

Asokohe, Facebook-u ka deklaruar se shumica e 15 mijë vlerësuesve të saj të përmbajtjes globale kishin punuar në distancë dhe do të ishin në gjendje ta bënin këtë gjatë gjithë kohëzgjatjes së pandemisë.

Përmes një shënimi të veçantë për stafin, Zuckerberg-u paraqiti përvojën e tij të punës në distancë.

Ai ka pranuar se të qenit jashtë zyrës e kishte bërë atë “më të lumtur dhe më produktiv në punë”, duke shtuar se kjo i kishte dhënë më shumë hapësirë ​​për të menduar dhe se i kishte mundësuar atij të “kalonte më shumë kohë me familjen”.

Të tjera kompani të teknologjisë kanë përcaktuar gjithashtu planet e tyre të ardhshme për kthimin në zyrë.

Gjatë javës së kaluar, në një shënim për të gjithë stafin, shefi i Apple-it, Tim Cook, ka thënë se i mungoi “aktiviteti” dhe se punëtorët duhet të ishin në zyrë të paktën tri ditë në javë deri në muajin shtator, duke specifikuar të mërkurën dhe të premten si ditë kur punonjësit mund të punojnë në distancë.

Mirëpo, mes disa punonjësve plani u konsiderua i diskutueshëm. Ata qarkulluan një letër që thoshte se politika e Apple-it “tashmë kishte detyruar disa nga kolegët tanë të iknin”.

Në muajin maj, në një mesazh për “Googlers”-at, shefi ekzekutiv, Sundar Pichai, ka shkruar se kompania do të kalonte në një javë pune hibride, ku shumica e stafit do të “kalonin afërsisht tri ditë në zyrë dhe dy ditë kudo ku punonin më mirë”.

Ai vijoi se ndryshimet duhet të rezultojnë përfundimisht në pjesën më të madhe të punonjësve në zyrë disa ditë në javë dhe rreth një e pesta prej tyre të punojë në distancë me kohë të plotë.

Pichai theksoi, ndër të tjera, se “e ardhmja e punës është fleksibiliteti”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore