Sport

PSG ofron para dhe futbollistin e tyre për Kane


E ardhmja e Harry Kane nuk pritet të jetë në Tottenham për sezonin e ardhshëm, derisa disa klube janë vënë pas tij.

I fundit është kampioni i Francës, Paris Saint-Germain, të cilët raportohet se janë duke përgatitur një ofertë për sulmuesin më të mirë në historinë e kombëtares angleze.

Sipas asaj që raporton gazetari i njohur italian, Gianluca Di Marzio, PSG po mendon të ofrojë para dhe shërbimet e futbollistit, Xavi Simons në drejtim të Tottenham-it për ta liruar Kane-n.

Ky i fundit ka kontratë me Tottenham-in deri në verën e ardhshme dhe mediat angleze raportojnë se marrëveshje të re nuk do të ketë mes tyre, me Kane të prirur për ta vazhduar karrierën diku tjetër, sidomos pasi Tottenham nuk bënë pjesë në Ligën e Kampionëve në sezonin e ardhshëm.

Në “pole-position” për transferimin e Kane deri më tani ka qenë skuadra e Bayern Munich, por oferta e tyre me kërkesën e Tottenham-it akoma nuk është barazuar.

Kështu që tani mund të “lind” një destinacion tjetër për sulmuesi 30-vjeçar, i cili me sa duket nuk e ka më mendjen e Tottenham-i.

Sa i përket Xavi Simons-it, ai aktualisht është pjesë e skuadrës holandeze, PSV Eindhoven, që kur u transferua në verën e kaluar nga PSG-ja si transferim i lirë.

Megjithatë, në marrëveshjen e transferimit është bërë një klauzolë riblerje, të cilën francezët mund ta bëjnë të tyre futbollistin për vetëm 6 milionë euro, gjë që mediat franceze kanë raportuar se kjo klauzolë do të shfrytëzohet nga Parisi, sidomos pas sezonit të shkëlqyer që pati mesfushori 20-vjeçar.

Simons shënoi 22 gola dhe dhuroi 12 asistime në 48 ndeshje në të gjitha garat me fanellën e klubit holandez.

Kujtojmë që vlera e Xavi Simons sipas “Transfermarkt” është 40 milionë euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore