Lajme

Pse u desh të shkonte çështja në OKB dhe më pas të hiqej dorë nga vendimi për dinarin?


Foto: Albanian Post

Pas kritikave që i mori nga aleatët në seancën e Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe nga Bashkimi Evropian se nëpërmjet “lëvizjeve të njëanshme” është duke nxitur “tensione të panevojshme”, pas ndalimit të përdorimit të dinarit për pagesa dhe pas viktimizimit të serbëve lokalë në Veri, të cilët përmes një proteste theksuan se pensionin “nuk ia japin kryeministrit, Albin Kurti”, ky i fundit, njoftoi se që nuk do të ketë masa ndëshkuese për ata që nuk e respektojnë vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e dinarit.

Kur kaluan më shumë se dy orë pas njoftimit të Kurtit, BQK-ja siç pritej, bëri të ditur se faza e tranzicionit të zbatimit të rregullores së saj e cila e ndalon përdorimin e dinarit serb do të zgjasë tre muaj edhe pse më 1 shkurt, hyri në fuqi rregullorja e re e BQK-së, nëpërmjet së cilës synohet të ndalohet qarkullimi i dinarit serb në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, përveç valutës euro, deri tani është përdorur edhe dinari nën sistemin paralel të financuar nga Serbia.

Dinari u bë shkas që më 9 shkurt, për herë të parë të përballen në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe president serb Aleksandër Vuçiç, ku ambasadorja e ShBA-së në KS të OKB-së, Linda Thomas-Greenfield, theksoi se vendimi për ndalimin e dinarit “është marrë pa përgatitjen e duhur apo konsultime me popullatën lokale”, duke kërkuar që zbatimi i rregullores së BQK-së të pezullohet.

Pos ShBA-ve, si rrallë herë, kryeministri Kurti u përballë me kritika të ashpra edhe nga aleatët tjerë të Kosovës, si Britania e Madhe dhe Franca të cilat shprehën shqetësimin për rregulloren e ndryshuar të BQK-së dhe mbylljen e institucioneve paralele serbe të financuara nga Serbia në Kosovë, në seancën e Jashtëzakonshme të KS të OKB-së, thirrur nga Serbia pas ndalimit të përdorimit të dinarit në komunat e banuara me shumicë serbe.

Para seancës, i ashpër në reagim ka qenë edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili pati akuzuar autoritetet e Kosovës se po nxisin tensione ndëretnike me veprimet e fundit teksa kishte përmendur edhe mundësinë e mosmbështetjes amerikane për Kosovën në arenën ndërkombëtare.

Po ashtu shumë komentatorë politik e analistë të marrëdhënieve ndërkombëtare e cilësuan “si dështim diplomatik” paraqitjen e Kurtit në seancën e KS të OKB-së meqë, sipas tyre, me vendimin për dinarin, Kosova në sytë e aleatëve të saj u paraqitë si “fajtore” duke dëmtuar kështu edhe “interesin nacional të vendit”.

Ndryshe, Kosovës i janë vendosur sanksione nga Bashkimi Evropian vitin e kaluar, për mos përmbushjen e kërkesave të BE-së për de-përshkallëzimin e situatës në Veri, ndërsa shumë njohës të çështjeve politike kishin ngritur alarmimin se Kosovës mund t’i vendosen masa të reja ndëshkuese për moskoordinim me aleatët për çështjen e dinarit.

Më 1 shkurt, hyri në fuqi rregullorja e re e Bankës Qendrore tё Kosovës (BQK), nëpërmjet së cilës synohet të ndalohet qarkullimi i dinarit serb, duke specifikuar se valuta e vetme që lejohet për pagesa/transaksione është euro. Në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, përveç valutës euro, deri tani është përdorur edhe dinari nën sistemin paralel të financuar nga Serbia.

Në katër komunat në pjesën veriore të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – çmimet nëpër dyqane janë shënuar me dinarë. Viteve të fundit është praktikuar edhe importimi i dinarëve nga Serbia, por nga 1 shkurti i këtij viti, kjo praktikë është ndalur, duke nxitur reagimin e autoriteteve serbe dhe bashkësisë së organizuar ndërkombëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore