Lajme

Pse s’po transferohen 300 të burgosurit danezë në Kosovë?


Më 27 prill bëhen dy vjet prejse Kosova dhe Danimarka kanë arritur marrëveshje për strehimin e 300 të burgosurve në qendrën e paraburgimit në Gjilan, por një gjë e tillë nuk kanë ndodhur ende edhe pse parashihej që transferimi i tyre të bëhet në tre muajt e parë të vitit 2023.

Në një përgjigje me shkrim për Albanian Post nga Ministria e Drejtësisë në Danimarkë, thonë se marrëveshja me Kosovën dhe traktati për qiranë e kapaciteteve korrektuese mbeten prioritet i lartë i qeverisë së re dhe është pjesë e programit politik.

Prandaj, sipas MD-së daneze, “dakordanca mes dy shteteve do hyj në fuqi së shpejti” .

“Ministria Daneze e Drejtësisë dhe Shërbimi i Burgjeve dhe sprovës mbeten në kontakt të ngushtë me homologët në Kosovë për përmbushjen, ratifikimin dhe zbatimin e traktatit. Kjo përfshin gjithashtu vlerësimin teknik se si objekti do të funksiononte në të ardhmen për të përmbushur kërkesat e traktatit. Bashkëpunimi ka qenë dhe vazhdon të jetë konstruktiv me synimin që traktati të hyjë në fuqi së shpejti”, thuhet në përgjigje.

Ndërsa nga Ministria e Drejtësisë në Kosovë, theksuan se pajtimi është lidhur me marrëveshjen për subvencionime ne “green energy” mes Ministrisë së Financave të Kosovës dhe Ministrisë për Bashkëpunim Zhvillimor të Mbretërisë së Danimarkës.

“Bazuar në këtë, këto dy marrëveshje do të procedohet për ratifikim të sinkronizuara si pako për shkak të lidhshmërisë që derivon edhe nga letër qëllimet”, thonë nga MD-ja për AP.

Nick Hækkerup dhe Albulena Haxhiu

Traktati, i cili ka një kohëzgjatje prej 10 vjetësh, parasheh që Danimarka të marrë në shfrytëzim qeli të vetme dhe të përbashkëta në burgun e Gjilanit, ndërsa Kosova, në këmbim, të përfitojë mbi 200 milionë euro.

Po shtu Danimarka nuk do të dërgojë të burgosur të dënuar për vepra terroriste, të burgosur të dënuar për krime të luftës dhe të burgosur të diagnostikuar me çrregullime të rënda mendore, të cilët kanë nevojë për kujdes mjekësor jashtë burgut.

Autoritetet në Danimarkë kanë thënë se kapacitetet e burgjeve të tyre janë mbushur 100%, pasi numri i të burgosurve është rritur për gati 20% nga viti 2015.

Shumica e të burgosurve vuajnë dënime deri në pesë vjet në të ashtuquajturat burgje të hapura.

Shumica e këtyre objekteve nuk kanë një gardh tradicional burgu dhe të burgosurit mund të kërkojnë mundësinë për t’u larguar përkohësisht nga burgu.

Albanian Post, kishte realizuar një kronik brenda burgut të Gjilanit ku do të transferohen të burgosurit nga Danimarka.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore