Pse Spanja (s’)mund ta njohë Kosovën sikurse Palestinën?
Pedro Sanchez
Armat Matoshi
24.05.2024 7:30Një ndër arsyet kryesore pse Spanja nuk do të lëvizë drejt njohjes së Kosovës, përkundër sinjaleve pozitive të muajve të fundit, konsiderohet të jetë fakti se aktualisht, çështjes së shtetit të vogël ballkanik i mungon rëndësia në diskursin publik, ndryshe nga interesimi dhe mbështetja e lartë në mesin e qytetarëve spanjollë për çështjen e njohjes së shtetit të Palestinës.
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez – një nga kritikët më të zëshëm të ofensivës së Izraelit – paralajmëroi të mërkurën se qeveria spanjolle do ta njohë një shtet palestinez përkrah shtetit izraelit më 28 maj, një hap drejt një aspirate të gjatë palestineze që erdhi mes zemërimit ndërkombëtar për numrin e viktimave civile dhe krizën humanitare në Rripin e Gazës.
Por një krizë humanitare karakterizoi edhe Kosovën në fund të viteve ’90. Në kulmin e krizës sociale dhe politike, një qeveri socialiste vendosi t’i tërheqë forcat spanjolle sepse refuzoi t’i mbajë trupat në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë – rreth 600 ushtarë spanjollë ishin pjesë e shërbimit paqeruajtës të NATO-s në kohën kur Spanja tërhoqi personelin nga Kosova.
Alejandro Esteso Perez, studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare, deklaroi për Albanian Post se vendimi i kryeministrit Sanchez për të njohur një shtet palestinez, derisa vazhdon të refuzojë pavarësinë e Kosovës, bazohet në dy arsye kryesore: mbështetja e gjerë e spanjollëve për kauzën palestineze dhe besimi se ky hap mund të gjenerojë vota në zgjedhjet evropiane.
“Në radhë të parë, ekziston një mbështetje e gjerë në mesin e popullatës spanjolle për çështjen palestineze – afërsisht 80 për qind mbështesin një zgjidhje me dy shtete. Prandaj, vendimi perceptohet i duhur nga një pjesë e madhe e popullsisë dhe sukses politik për qeverinë”, konsideroi pjesëtari i Grupit Këshillues të Politikave për Ballkanin në Evropë (BiEPAG).
“Ndërkaq, çështjes së Kosovës aktualisht i mungon rëndësia në diskursin publik për të ekzistuar pretendime të mëdha për njohje që qeveria të veprojë. Sánchez, dhe kryeministrat e mëparshëm, trajtuan çështjen e Kosovës në një mënyrë mjaft të sikletshme, thjesht duke injoruar ekzistencën e Kosovës – diçka që nuk ka ndodhur me Palestinën”, shtoi tutje Esteso Perez.
Një këndvështrim të ngjashëm e artikuloi në anën tjetër edhe hulumtuesi në Qendrën për Ekonomi dhe Gjeopolitikë Globale (EsadeGeo) në Barcelonë, Juan García-Nieto, i cili, duke marrë parasysh hulumtimet e fundit, pohoi se spanjollët, posaçërisht votuesit e Partisë Socialiste të Punëtorëve (PSOE) në pushtet, angazhohen më tepër në çështjen palestineze.
“Qeveria e Spanjës është e vetëdijshme për mbështetjen e lartë të shoqërisë spanjolle për shtetësinë palestineze. Rreth 78 për qind e spanjollëve mbështesin njohjen e menjëhershme të Palestinës nga vendet evropiane. Anasjelltas, publiku spanjoll është ndoshta më pak i angazhuar në çështjen e pavarësisë së Kosovës”, kujtoi García-Nieto në një përgjigje për mediumin.
Esteso Perez nga ana tjetër nënvizoi se vendimi i kryeministrit spanjoll për njohjen e Palestinës rrjedh edhe nga besimi se kjo lëvizje tërheqëse për elektoratin spanjoll, mund të sjellë përfitime për PSOE-në në prag të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian (PE) në qershor, nga të cilat do të varet përbërja e ardhshme e institucioneve kryesore të Bashkimit Evropian (BE).
Në fakt, njohja e Palestinës nga Spanja i jep rëndësi shtesë çështjes së Lindjes së Mesme, përpara zgjedhjeve evropiane, ku rreth 370 milionë njerëz kanë të drejtë të votojnë teksa një rritje e së djathtës ekstreme vërehet në shumicën e vendeve evropiane. Ndërkohë, socialistët ka të ngjarë të mbeten grupi i dytë më i madh në legjislativin evropian që numëron plot 720 ulëse.
“Prandaj, ky vendim perceptohet i duhur nga një pjesë e konsiderueshme e popullsisë dhe që mund të ketë tërheqje në nivel evropian – përveç vendimit të njëkohshëm të Irlandës dhe Norvegjisë. Së dyti, duke qenë se zgjedhjet në BE janë duke u afruar, kjo është koha e duhur që Sanchezi të përdorë këtë kartë, ngase mund të sjellë disa përfitime elektorale për PSOE-në“, shtoi ai.
Spanja është një nga pesë vendet në BE-së dhe një nga katër vendet e NATO-s që refuzon të njohë Kosovën. García-Nieto kujtoi se Spanja vazhdimisht etiketon hapin unilateral të Kosovës si shkelje të së drejtës ndërkombëtare, ndonëse perëndimi kolektiv përsërit se njohja e Kosovës përbën një rast sui generis dhe nuk mund të shihet si një precedent për ndonjë situatë tjetër.
“Përderisa Spanja i është bashkuar komunitetit ndërkombëtar në njohjen e Palestinës, ajo ende ecën kundër rrjedhës kur bëhet fjalë për Kosovën – dhe qëndron e izoluar veçanërisht brenda NATO-s dhe BE-së, anëtarët e së cilës mbështesin në masë të madhe shtetësinë e Kosovës”, potencoi Nieto, por shtoi se – megjithatë – pozicioni spanjoll ka filluar të zbutet rishtas.
Në janar, ekzekutivi spanjoll njohu pasaportën e Kosovës, duke lejuar lëvizjen e lirë të kosovarëve, sikurse në vendet tjera të zonës Schengen. Megjithatë, në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Spanjës (MPJ) menjëherë pas vendimit, u qartësua se njohja e pasaportës kosovare nuk nënkupton domosdoshmërisht njohjen e pavarësisë apo sovranitetit të shtetit të Kosovës.
Spanja është zotuar se nëse arrihet një marrëveshje përfundimtare në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi nën ndërmjetësimin e BE-së, atëherë do të ndryshojë edhe qëndrimin ndaj Kosovës. Por García-Nieto e vlerësoi të vështirë arritjen e një marrëveshjeje, posaçërisht pas ashpërsimit të retorikës së presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, ndaj Kosovës.
Për më tepër, politika e ndërlikuar e brendshme në Spanjë gjithashtu luan një rol në pozicionin spanjoll, shtoi García-Nieto, duke pasur parasysh lëvizjet secesioniste – pra, nëse Madridi pranon se Prishtina ka të drejtën e pavarësisë, atëherë standardi i njejtë duhet të aplikohet edhe në rastin e Katalonjës dhe Baskisë – rajone që synojnë shkëputjen nga shteti spanjoll.
“Një peizazh kompleks politik – një qeveri koalicioni e pakicës – dhe polarizimi i thellë për shkak të kalimit të një amnistie të diskutueshme për liderët pro-pavarësisë, bëjnë që të jetë e vështirë për qeverinë aktuale të mendojë për ndonjë ndryshim të shpejtë karshi Kosovës në të ardhmen e afërt”, argumentoi ndër të tjera García-Nieto.
Sanchez, derisa numëroi arsyet që e çuan deri në marrjen e vendimit për njohjen e Palestinës, deklaroi se kjo shkon në funksion të “paqes, drejtësisë dhe koherencës” në Lindjen e Mesme. Megjithatë, sikurse Perez, ashtu edhe Nieto, potencuan se arsyetimi i qeverisë spanjolle pas njohjes së shtetësisë palestineze mund të aplikohet edhe në rastin e Kosovës.
“Spanja, por edhe Serbia, megjithatë e kuptojnë se Kosova është tashmë de facto e pavarur: shtetësia e Kosovës, megjithëse nuk njihet plotësisht, është një fakt i kryer, kështu që mosnjohja e Spanjës është më shumë simbolike se sa përmbajtësore. Kjo mund të ndryshojë nëse do të ketë ndezje të papritur të tensioneve në Ballkanin Perëndimor “, përfundoi García-Nieto.
“Njohja e mundshme e Kosovës nga Spanja mund të adresojë lehtësisht çështjet e paqes, drejtësisë dhe koherencës ashtu sikurse në rastin e Palestinës… por Palestina ka një ambasadë në Spanjë – kështu që pikat e nisjes së Palestinës dhe Kosovës janë sigurisht shumë të ndryshme”, u shpreh nga ana tjetër Esteso Perez, vëzhgues i vëmendshëm i zhvillimeve në rajon.
Ndryshe, shanset që Spanja të lëvizë drejt njohjes së Kosovës vlerësohen të ulëta aktualisht, veçanërisht duke pasur parasysh narrativën historike për refuzimin e shkeljeve të së drejtës ndërkombëtare dhe duke marrë parasysh argumentin e përsëritur se një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë përpara çdo hapi drejt njohjes.