Sport

Pse Roma shkarkoi Jose Mourinhon


Jose Mourinho

Roma konfirmoi shkarkimin e trajnerit Jose Mourinho të martën në mëngjes, duke i dhënë fund mbretërimit të tij dyvjeçar e gjysmë në kryeqytetin italian.

Ish-trajneri i Chelsea, Manchester United dhe Tottenham fitoi tifozët në sezonin e tij të parë duke fituar Conference League dhe e çoi skuadrën e tij në finalen e Europa League sezonin e kaluar, përpara se të humbiste ndaj Sevilla-s me penallti.

Por Roma ka rënë keq në sezonin 2023-24 dhe aktualisht është në vendin e nëntë në Serie A, duke e detyruar bordin të ndërhyjë dhe të shkarkojë Mourinho-n nga detyrat e tij. Ai largohet me një rekord prej 60 fitoresh, 30 barazime dhe 40 humbje nga 138 ndeshjet e tij në krye.

Ai mori një mesatare prej 1.7 pikësh për lojë gjatë mandatit të tij, duke zbritur në 1.45 këtë sezon, dhe sipas një raporti nga “Calcio&Finanza”, çdo pikë e fituar nga Roma i kushtoi klubit 3.5 milionë euro duke marrë parasysh pagat e lojtarëve dhe trajnerëve si dhe kohëzgjatja e kontratave të tyre.

Gjithsej 29 pikët e Roma-s nga 20 ndeshjet e saj këtë sezon është ecuria e tyre më e keqe që nga 2002-03 nën drejtimin e Fabio Capello.

Jose Mourinho (EPA-EFE/ANGELO CARCONI)

Pra… ku ka shkuar keq?

Shenjat paralajmëruese ishin aty që nga fillimi i sezonit kur Roma fitoi vetëm një nga gjashtë ndeshjet e para të ligës.

Fitorja e tyre e vetme në këtë periudhë ishte një mposhtje 7-0 ndaj Empoli-t, por Mourinho ende nuk ishte i lumtur pas kësaj loje.

“Ne jemi gjithashtu pak të pafat, Atalanta, për shembull, do të luajë të enjten dhe pastaj të hënën, por ne luajmë gjithmonë të enjten dhe të dielën. Ndoshta është dikush në ligë që nuk më pëlqen mua”, u tha ai gazetarëve.

Dukej se 60-vjeçari po kërkonte justifikime për paraqitjet nën nivel të skuadrës së tij, pasi ishte mërzitur të merrte fajin për mangësitë e Roma-s, por kjo fitore duhet të kishte nisur fushatën e tyre.

Nuk ndodhi. Ata u mbajtën në një barazim 1-1 nga Torino në ndeshjen e tyre të radhës dhe më pas humbën 4-1 nga Genoa.

Edhe një herë, Mourinho fajësoi orarin, dëmtimet dhe mungesën e aktivitetit të transferimeve në klub në vend që të merrte përgjegjësi personale, ndërsa gjithashtu u kujtoi tifozëve dhe ekspertëve arritjet e tij gjatë dy sezoneve të fundit.

“Është fillimi më i keq i karrierës sime, por Roma luajti në dy finale evropiane radhazi”, tha ai.

“Genoa luajti 48 orë para nesh. Në ndeshjen e djeshme pesë lojtarë kanë pasur lëndime muskulore, sonte tre. Si mund të dalim nga kjo? Duke qëndruar të bashkuar. Nuk ka treg, askush nuk vjen”, tha portugezi.

Ankesat e tij për transferimet ishin të vështira për t’u pranuar duke qenë se ai kishte sjellë Paulo Dybala, Romelu Lukaku, Renato Sanches, Houssem Aouar, Sardar Azmoun dhe Chris Smalling, të gjithë lojtarë me një histori mbi çështjet fizike.

Pakënaqësia e tij me biznesin e transferimeve të Roma-s shqetësoi pronarët amerikanë, familjen Friedkin, të cilët e kishin bërë të qartë se duhej të kishte një qasje të kujdesshme në treg për shkak të kufizimeve financiare të klubit.

Jose Mourinho

Lufta e tij e vazhdueshme “guerile” mediatike filloi të testonte durimin e bordit dhe sjellja e tij po bëhej një çështje e vërtetë.

Pasi u përjashtua tre herë sezonin e kaluar, atij iu dha një karton i kuq gjatë fitores 1-0 të skuadrës së tij ndaj Monza-s në tetor për tallje me stolin kundërshtar pas golit të vonë të Stephan El Shaarawy.

Mourinho bëri gjeste të një  “fëmije duke qarë” drejt Monza-s, përpara se më vonë të shpjegonte se ishte një përgjigje ndaj tyre duke thënë “fjalë të këqija për ne” sezonin e kaluar.

Megjithatë, kjo nuk ishte e dobishme për Roma-n, pasi ai më pas mori një pezullim për përplasjen e tyre me liderët e Inter-it, duke i parë ata të humbnin 1-0 ndaj zikaltërve nga tribuna.

Dhe ndalimi i tij nuk çoi në një ndryshim në qëndrimin e tij ndaj gjyqtarëve pasi ai nisi një sulm ndaj Fabio Maresca pas humbjes ndaj Inter-it dhe sugjeroi se kishte një agjendë kundër lojtarëve të tij.

“Ai u dha të verdhë lojtarëve që dukeshin ‘të zgjedhur’, dy qendërmbrojtësit, Ndicka dhe Mancini, dhe dy mesfushorët qendrorë, Paredes dhe Cristante. Nuk ka asnjë respekt për lojtarët e mi”, këmbënguli Mourinho.

Ai mund të ketë ndjerë se lojtarët e tij u trajtuan ashpër në “San Siro”, por Mourinho nuk pati simpati për ta kur u mundën nga Slavia Prague në Europa League 11 ditë më vonë.

Mourinho në mënyrë sensacionale pretendoi se ekipit të tij i mungonte profesionalizmi dhe deklaroi se vetëm i riu Edoardo Bove kishte luajtur mirë.

“Nuk më pëlqeu asgjë. Shumë pak lojtarë kanë pasur qëndrimin profesional që unë kërkoj. Vetëm Bove bëri mirë, por me një në 11 ndeshjet nuk fitohen. Një humbje shumë e drejtë”, tha ai.

Nuk do të ishte hera e fundit që ai kritikonte publikisht skuadrën e tij.

Pas një fitoreje 3-1 kundër Udinese-s në fund të nëntorit, Mourinho sugjeroi se disa nga lojtarët e tij, veçanërisht ish-mbrojtësi i Manchester United, Chris Smalling, nuk po bënin mjaftueshëm për t’u vënë në dispozicion për ndeshjet, duke vënë në pikëpyetje edhe një herë qëndrimin e skuadrës.

“Ka të tjerë që janë më të aftë në përballimin e dhimbjes. Ai (Smalling) qëndron pak prapa”, shpjegoi Mourinho. “Shikoni Mancini-n. Sot ai pati një problem fizik dhe luajti me qetësues. Ai është një nga ata që do të luante edhe në njërën këmbë”.

Katër ditë më vonë, disponimi i Mourinho-s nuk ishte përmirësuar. Pasi u pengua në barazim 1-1 nga skuadra zvicerane Servette në Europa League, ai akuzoi skuadrën e tij si “sipërfaqësore” dhe sulmoi lojtarët e tij që nuk arritën të rriteshin dhe ta bindnin atë se ata meritonin më shumë minuta në fushë.

“Ka njerëz që luajnë në mënyrë sipërfaqësore, edhe pa pasur përvojë të madhe në Evropë. Pastaj janë ata të zakonshëm që janë gjithmonë aty për 90 minuta, nuk kam nevojë të përmend emra”, tha Mourinho.

Shpërthimet e tij po vinin pothuajse çdo ditë në këtë fazë, dhe ai pati situatë të njëjtë edhe para ndeshjes së ligës së skuadrës së tij me Sassuolo, duke pohuar në konferencën për shtyp para takimit se gjyqtari Matteo Marcenaro “nuk ka stabilitet emocional për të punuar në këtë nivel”.

Mourinho kishte nevojë për një fund të fortë të vitit 2023 për të lehtësuar presionin, por nuk ia doli pasi Roma humbi ndeshje të njëpasnjëshme jashtë ndaj Bologna dhe Juventus.

Ata e filluan vitin 2024 me një fitore në Kupën e Italisë kundër Cremonese. Por, shpejt ajo do të zbehej, me Mourinho-n që do të përjashtohej nga fusha në ndeshjet e njëpasnjëshme kundër Atalanta-s dhe Lazio-s.

Kartoni i kuq ndaj Lazio-s ishte i pesti i tij në sezon dhe erdhi pas një paraqitjeje tjetër të dobët, pasi Roma u eliminua nga Kupa e Italisë pas një humbjeje 1-0 ndaj rivalëve të tyre më të ashpër.

Edhe një herë, Mourinho ishte kritik ndaj zyrtarëve për dhënien e penalltisë së Lazio-s në pjesën e dytë.

Duke qenë i adhuruar nga baza e tifozëve të Roma-s për pjesën më të madhe të kohës së tij në krye, tifozët ishin ngopur me humbjet, ndërsa ai përpiqej të mbante emocionet e tij.

Ndeshja e tij e fundit erdhi të dielën, kur skuadra e tij u mund 3-1 nga Milan-i.

Pasi mori vetëm katër pikë nga pesë ndeshjet e tyre të fundit, shkarkimi dukej çështje kohe për Mourinho-n, dhe pas një takimi me presidentin Dan Friedkin të hënën mbrëma, atij iu tregua dera e daljes.

Seanca stërvitore e mëngjesit të së martës u vonua pasi u bë e qartë se Mourinho nuk do ta drejtonte atë, dhe tani Roma ka një trajner të ri, Daniele de Rossi.

Mourinho i dha fund pritjes së gjatë të Roma-s për trofe, duke u siguruar që koha e tij në klub ishte larg nga një dështim i plotë.

Por kjo sindromë e njohur e sezonit të tretë dëshmoi se ishte rënia e tij edhe një herë, dhe e la Roma-n pa alternativë veçse të vepronte ashtu siç veproi për të shpëtuar sezonin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore