Kosova

Pse Perëndimi nuk ia kthen shpinën Vuçiç-it?


Ilustrim

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikes, aktualisht janë duke ndjekur katër objektiva të politikës së jashtme përmes marrëdhënieve të tyre me Serbinë: frenimi i Rusisë, kontrollimi i Kinës, normalizimi i  raporteve Kosovë-Serbi dhe mbrojtja e sovranitetit të Bosnjë dhe Hercegovinës.

“Qeveritë perëndimore e trajtojnë vazhdimisht Beogradin si lojtarin e domosdoshëm në çështjet kryesore me të cilat përballet Ballkani Perëndimor. Cilado qoftë çështja në fjalë, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është personi i parë që ata thërrasin”, shkruan Maja Ruge, bashkëpunëtore e lartë në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.

Një pjesë e kësaj politike është e kuptueshme, vlerësoi Ruge, duke u nisur nga fakti se pushteti në Serbi është i përqendruar tek Vuçiç dhe si vendi më i fortë në rajon, ai gëzon një mekanizëm politik dhe financiar ndaj politikanëve të padisiplinuar serbë në Bosnjë, Kosovë dhe Mal të Zi për t’i frenuar ata kur shkaktojnë telashe.

“Shkurtimisht, besimi i Vuçiç-it se ai mund të vazhdojë në kursin e tij aktual buron nga dështimi i vazhdueshëm i Perëndimit për të zhvilluar dhe ushtruar ndikimin e mundshëm që ka. Në të vërtetë, presidenti përdor me mjeshtëri secilën nga çështjet kryesore për të errësuar përgjegjësinë për mospërmbushjen e të tjerëve”, shtoi ajo.

Vuçiç ka krijuar imazhin se Perëndimi është armik i Serbisë dhe e portretizon veten se është duke luftuar heroikisht për të mos iu nënshtruar presionit perëndimor për t’i vendosur sanksionet e BE-së ndaj Rusisë ose për të nënshkruar marrëveshjen me Kosovën.

Prandaj, siç vëren ekspertja, kryeqendrat politike në Evropë dhe SHBA – Berlini dhe Uashingtoni – mund të japin një përgjigje më të mprehtë ndaj propagandës së brendshme anti-perëndimore të Vuçiç-it në raport me Perëndimin.

“Për shembull, zyrtarët e BE-së dhe SHBA-së mund të mos i japin atij një audiencë sa herë që vizitojnë rajonin. Burime të shumta gjatë viteve kanë sugjeruar se frika për të humbur do të kishte ndikim në sjelljen e Vuçiç-it. Të luash me këtë mund të jetë një nga çelësat për të ndryshuar dinamikën e marrëdhënies”.

Megjithatë, sipas studiueses së politikave evropiane, një qasje akoma më e ashpër nevojitet, së bashku me shkopinj shtesë, siç është sanksionimi i kriminelëve nacionalistë që nxisin destabilitetin në rajon dhe patronët e tyre politikë.

“Juridiksionet e ngatërruara dhe zonat gri ligjore në Republika Srpska ose në veri të Kosovës, të cilat liderët politikë kërkojnë t’i legjitimojnë duke bërë kërkesa për ‘autonomi etnike’ më të madhe, lejojnë që krimi i organizuar të lulëzojë dhe të rrënjos shtetin”.

Prandaj, sipas saj, politikëbërësit perëndimorë duhet t’i studiojnë me kujdes këto raste para se të mendojnë për modelet kushtetuese në veri të Kosovës, siç është Asociacioni i komunave me shumicë serbe. 

“Prandaj, kjo çështje duhet të jetë një nga fushat e para për veprim për politikëbërësit perëndimorë: zgjidhja e problemeve të sundimit të ligjit të Serbisë dhe rajonit do ta bënte më të vështirë operimin atje për Rusinë dhe Kinën dhe do të dobësonte rrjetet etno-kriminale të ndikimit në të gjithë Ballkanin Perëndimor”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore