Jetesë & Stil

Pse kaq shumë gra ende marrin mbiemrin e bashkëshortit të tyre?


Unaza martese

Në pothuajse çdo shtet të botës, shumica e grave miratojnë emrin e familjes së burrit të tyre, kur martohen.

Disa thonë se është një pasqyrim formal i dashurisë së tyre, e disa të tjerë pretendojnë se është një metodë e vjetër e pushtetit patriarkal ku gruaja konsiderohej pronë e burrit.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës sipas një prej analizave më të mëdha të të dhënave në vitet e fundit tregon se rreth 70 përqind e grave marrin mbiemrin e burrit.

Ndërsa për gratë britanike, shifra është pothuajse 90 përqind, sipas një sondazhi, me rreth 85 përqind të atyre të moshës midis 18 dhe 30 vjeç që thonë se ata ende ndjekin praktikën.

Edhe në Kosovë ky fenomen vazhdon të qëndroj, gratë e martuara të grup-moshave më të reja, 18 deri 34 vjeç, vendosin të veprojnë njësoj. Disa prej këtyre grave gabimisht mendojnë se kjo është një kërkesë ligjore.

Edhe pse shifrat janë më të ulëta se sa ishin një brez më parë, është e qartë se mbetet një normë e fortë kulturore në pjesë të mëdha të botës perëndimore, pavarësisht epokës së sotme më individualiste dhe të vetëdijshme për gjininë.

Disa gra besojnë se të kesh një kulturë që ndjek kryesisht traditat patriarkale në martesë krijon precedentin për të gjithë marrëdhënien, duke përqendruar gjithçka rreth burrit dhe duke vënë gruan (dhe nevojat e saj) në periferi.

Eljesa Gashi, e cila jeton në Prishtinë, ka zgjedhur të ndryshojë mbiemrin e vajzërisë pas martesës dhe thotë për Albanian Post se “nëse nuk ndryshon mbiemri nuk kishte kuptim të martoheshim”.

Sidoqoftë, ka shumë gra që duan të mbajnë mbiemrin e tyre. Për to, mbiemri i tyre i vajzërisë nuk është vetëm një mbiemër, është një mishërim i lidhjes së thellë dhe të dashur që ata ndajnë me prindërit e tyre. Ato mendojnë se martesa në një familje tjetër nuk duhet ta zbehë atë.

Merita Krasniqi, pronare e një biznesi privat në Kosovë, ka treguar për Albanian Post se edhe pas martesës ka zgjedhur të mbajë mbiemrin e vet.

“Unë e kuptoj që për shumë gra është thjesht më e lehtë të ndjekin traditën, të marrin mbiemrin e burrit siç ka bërë nëna, gjyshja e tyre e kështu gjenerata me radhë, por un personalisht dëshiroja ta mbajë mbiemrin tim, pasi për mua është shumë e rëndësishme të jem vetja, të ndihem vetja”.

Ndërkaq, Blerina Rrahmani Shala, pasi ka ndërruar statusin shoqërorë, ka marrë edhe mbiemrin e burrit “me vet dëshirë”, siç shprehet ajo.

Mbiemri i familjes së sajë po ashtu është identitar për të, prandaj thotë se ka vendosur t’i mbajë të dy mbiemrat.

“Unë e kam pas mundësinë me zgjedhë se cilin mbiemër do të mbaj, dhe me dëshirë kam marrë mbiemrin e burrit, po të njëjtën kohë nuk kam dashtë që identiteti im të zhduket, pasi për mu heqja e mbiemrit të vajzërisë është fshehja e identitetit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore