Pse duhet të rikthehet Lulzim Basha edhe një herë
Foto nga Albanian Post
Albanian Post
24.05.2023 13:48Kur Jimmy Carter nuk arriti dot të ri-zgjidhet president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vitin 1980 dhe humbi kundrejt republikanit Ronald Reagan, u duk si një humbje e pritur nga një politikan që s’mundi ta unifikojë partinë dhe do mbahej mend për problemet që ia përcollën mandatin e parë.
Derisa koha kalonte dhe historianët filluan ta testojnë mandatin e Carter-it me të dhëna përtej populizimit, u kuptua që në fakt në 80-ën s’kishte humbur Carter, por amerikanët.
Gabimet e politikës ditore ishin shumë më të prekshme për njerëzit se idetë e tij novatore të vendosura në të ardhmen. Carter fliste për rrezikun nga ndryshimet klimatike, kur as akademia s’e trajtonte seriozisht si temë.
Historiani Jonathan Alter thotë se fatkeqësia e tij ishte thjesht të qenurit para kohe dhe kjo në politikë s’përbën përparësi gjithmonë.
Jo për krahasimin karakterial, ngjashmërinë e rrethanave, apo pozicionimin politik, por Lulzim Basha i Shqipërisë është njëfarë Carter-i në synimin politik.
Kur më 21 mars të vitit të kaluar dha dorëheqje nga kreu i Partisë Demokratike, Basha tha: Unë zgjedh të ardhmen.
Ta zgjedhësh të ardhmen duke u tërhequr në një hapësirë ku politika përjetohet vetëm në dimensionin e vetë të mashtrimit për pushtet ngjan në një oksimoron të pakuptueshëm.
Por, Basha e kuptoi.
Në një vend ku të qëndruarit bëhet vetëm me kushtin e mirëmbajtjes të së kaluarës, e ardhmja mund të arrihet vetëm si largim i përkohshëm. Siç e pati thënë vetë në fjalimin dorëheqës “po bëj një hap prapa”.
Kush e lexon sot fjalimin e Bashës atë ditë, do ta kuptojë ndryshe.
Ai, në të kundërt nga shumë të tjerë, e kuptoi se nostalgjinë për të kaluarën e mirëmbante vetëm imagjinata e ndërtuar pas shkëputjes me të. E kaluara gjithmonë idealizohet si kujtim i rindërtuar me copëza të përzgjedhura subjektivisht dhe vjen si fotografia që kurrë nuk ka ekzistuar me të vërtetë.
Basha e hetoi se mënyra e vetme për të shkatërruar fotografinë imagjinare ishte lëshimi udhë. Sepse, ritakimi i shqiptarëve me të kaluarën e tyre kishte mbetur mundësia e vetme – edhe pse më e vrazhda – për ta përjetuar edhe një herë se çfarë ishte ajo më të vërtetë – jashtëzakonisht e shëmtuar.
Tani, kur e panë, e kujtuan se ajo ishte brutale deri në perversitet, maniake deri në sëmundje, arrogante deri në ofendim dhe e dëmshme si gjithmonë.
Basha padyshim është politikani më i keqkuptuar shqiptar ndonjëherë.
Ai u keqkuptua edhe kur kujtoi se shumica e shqiptarëve do ta kuptonin se ai me Berishën po provonte një rotacion demokratik të butë, një kalim stafete pa nevojën për ta grabitur.
Padyshim se s’ishte pa gabim në projeksionin e tij. Ai kur futi duart në baltë për ta nxjerr PD-në, harroi se në procesin e nxjerrjes ndoten duart dhe nuk i pastroi krejtësisht asnjëherë.
Sado i kuruar, njollat e baltës ishte e pamundur të mos shiheshin dhe kjo e bënte të dyshimtë gjithë pastërtinë e pjesës tjetër.
Për vrojtuesit e vëmendshëm, strategjia e Bashës në partneritetin me Berishën ishte e qartë.
Frika e tij se mund të përçahet partia (çka edhe ndodhi) e bëri atë të besojë se rotacionin mund ta arrijë përmes një procesi paqësor, por rrugës harroi përbërësin esencial të paqes – shfaqjen e kapacitetit për luftë.
Basha krijoi idenë se PD-ja do t’i mbetet si trofe i aftësisë së tij për ta bërë diferencën si nënkuptim i të tjerëve, pa nevojën e shkrepjes së armës politike.
Ndërtoi këtë iluzion dhe jetoi brenda tij. Nuk respektoi fuqinë e mekanizmave parapolitik mbi të cilët qëndron struktura e politikanëve si Sali Berisha, Ilir Meta e shumë të tjerë në Shqipëri e Ballkan.
Tani, meqë mëkatet e tij nuk janë rezultat i qëllimeve, por pasojë e një keqkuptimi të dyanshëm, ai e ka për obligim të kthehet në politikë për një shans të dytë të dyanshëm.
Shqiptarët sot – me votimin (lexo:mosvotimin) në zgjedhjet e fundit – kanë treguar se janë shumë më afër një politikani si Basha sesa që ishin kur ai erdhi në politikën shqiptare.
Por, edhe Basha sot e ka për obligim ta dëshmojë që “Luli tashmë është rritur” dhe mund të qëndrojë në vertikale, jashtë rolit të tij të hijes që ai e di pse e kishte pranuar, por dështoi t’ua tregojë të tjerëve përse-në e tij.
Ai tani duhet të dëshmojë se nuk është mungesa e askujt, por prezenca e vetës së tij.
Duhet të kthehet për të luftuar për shpirtin e Partisë Demokratike, për shpëtimin e të djathtës dhe për krijimin e nevojshëm të balancës që e mban të ndezur makinën e sistemit demokratik.
Ketë herë duhet ta ketë fare të qartë se instalimi i paqes bëhet përmes kapacitetit për luftë.
Ai duhet të kthehet ta çlirojë PD-në nga kthetrat e aparatçikëve të fundit të Partisë së Punës.
Këtë mund ta bëjë Basha. Në fakt, këtë mund ta bëjë vetëm Basha.
Por, gjithmonë duke e ditur se paqja – e cila pason me prosperitet – vendoset vetëm atëherë kur pala ndërluftues e kupton se mungon krejtësisht gjasa për fitore.
Dikur Basha pati pranuar të marrë rolin e premtimit të Berishës. Berisha e prezantonte Bashën si premtimi i tij për shqiptarët. Tani largimi i fundëm i Berishës është detyrimi i Bashës për PD-në dhe për shqiptarët.
Ai duhet të zhveshë edhe rrobat e fajtorit kujdestar. I mjaftojnë viktimat e veta në bodrum, s’ka pse të marrë autorësi për të tjera.
Lulzim Basha nuk ka qenë konvencional që nga dita kur është futur në politikë. S’ka pranuar ta bëjë luftën politike në batak dhe ka besuar se shqiptarët e kanë ndjenjën e hollë për ta dalluar këtë diferencim.
Njëjtë duhet t’iu besojë edhe sot dhe të marr misionin guximtar për t’iu treguar shqiptarëve se kush vërtet është Berisha.
Basha duhet me patjetër t’ua premtojë shqiptarëve edhe një gjë – largimin e Metës nga e djathta që i rri si mish i egër.
Pamja më brutale aktualisht në politikën shqiptare duket Meta djathtas. Sistemi duhet ta vjellë edhe këtë mbetje si kusht i domosodshëm për funksionim të organizmit.
Kur ta përfundojë këtë betejë, të cilën duhet ta bëjë me qëllimet e vjetra, por me mjete të reja dhe ta normalizojë ambientin politik, duhet ta “shpëtojë” Edi Ramën nga vetmia e pushtetit.
Dhe duke e “shpëtuar” Edin, do ta ndihmojë edhe Shqipërinë.
Ai duhet të kthehet edhe për një arsye tjetër qendrore, sepse largimi i Berishës nuk nënkupton largimin e zgjatimeve të tij dhe logjikës së tij në politikë.
Mutacioni i fundit dhe më i sofistikuar berishian ka formën e kryetarit të kryeqytetit sot.
Derisa Basha nuk ishte berishian as kur e pranonte se është, Erion Veliaj është i tillë – dhe më së shumti i shfaqet atij kur e mohon vazhdimisht.
Veliaj është tentakula më e harlisur e logjikës berishiane në politikë.
Ai ka kapur mediat, bizneset, gjykatat dhe prokurorinë, administratën dhe fuqinë e gënjeshtrës.
Rama nuk mund dhe e ka shume të vështirë ta heqë këtë logjikë te “Kryeministrit të Kryeqytetit”, sepse e ka brenda derës së shtëpisë.
Këtë betejë me berishistin e fundit mund ta bëjë vetëm Basha, që me gjasë në një të ardhme do ketë Velijajn përballë – në një periudhë post-ramiane.
Vrazhdësia e komunikimit politik të Veliajt sot e nxjerr pak Berishën në sipërfaqe, por nuk hetohet shumë sepse ky është Berisha i pa ballafaquar.
Kur ta ketë ballafaqimin politik, atëherë do të kuptohet fare qartë qeliza berishiane e tij.
Veliaj është berishian, Basha duhet të kthehet që të sigurohet se do jetë i fundit.