Lajme

PSD-ja me baner të Kurtit si “kryeministër Pinokio”


Aksioni i PSD-se.

Partia Socialdemokrate (PSD), në hyrje të Prishtinës ka vendosur një postier me thirrjen për protestë më 25 mars kundër marrëveshjes që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka arritur me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç në Ohër.

Në postierin e vendosur ata e kanë paraqitur kryeministrin si “Pinokio”, personazh përrallash, e që i rritet hunda sa herë që gënjen.

Sipas kësaj partie, “me këtë marrëveshje do të krijohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe”.

Duke thënë se, “kryeministri Kurti është mashtrues”.

Më 19 mars, kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka thirrur protestë më 25 mars kundër pajtimit mes kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhnieve midis dy vendeve.

Molliqaj në një konferencë të për media, deklaroi se dialogu në qendër të tij nuk e ka njohjen de facto siç e ka proklamuar kryeministri Kurti, por Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, kundër të cilit po thirret protesta.

“Në ditën më të jashtëzakonshme asnjë gjë nuk kanë thënë, prandaj besoj që demokracia është në rrezik. Ne kemi vendosur që të kërkojmë dorëheqjen e Qeverisë së Kosovës, nuk ka kuptim në këto rrethana të mos japin llogari”.

“Besojmë që protesta është mjeti i vetëm duke pasur parasysh që opozitë nuk ka në Kosovë. Përveç se legjitime dhe e drejtë, protesta është e domosdoshme dhe e vetmja. Nga tash, emri dhe mbiemri i kryeministrit është Albin Zajdenica për PSD-në dhe për qytetarët që janë kundër”, shtoi ai.

Kosova dhe Serbia u pajtuan më 18 mars, në Ohër, që të fillojnë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve sa më shpejt që të jetë e mundur. Megjithatë, atë nuk e nënshkruan zyrtarisht. Në fakt, kryeministri Kurti ka qenë i gatshëm të nënshkruaj, por presidenti serb ka refuzuar.

Kryeministri Kurti dhe presidenti serb u pajtuan paraprakisht më 27 shkurt me planin 11-pikësh të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve që për diplomacinë perëndimore vlerësohet shumë e rëndësishme pas agresionit rus në Ukrainë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore