Shqipëria

PS tërheq ligjin për Amnistinë Penale, nuk kalon për votim


Partia Socialiste ka tërhequr vetëm një orë përpara nisjes së seancës plenare të 22 shkurtit, ligjin për Amnistinë Penale, i cili ishte parashikuar të kalonte për votim.

Arsyet e kësaj tërheqjeje të socialistëve ende nuk janë bërë me dije, por është fakt se ky ligj kërkonte një shumicë prej 84 votash për miratim dhe të majtët nuk do ta kishin të mundur ta arrinin këtë kuotë.

Kjo, pasi siç është bërë e qartë më parë, Partia Demokratike zyrtare me kryetar Lulzim Bashën, edhe pse ishte lënë një mundësi e hapur, vendosi të mos i bashkojë votat me shumicën.

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e ka mbyllur derën e bashkëpunimit për Amnistinë Penale, pasi ka thënë se forca e djathtë politike nuk do t’i bashkojë votat me të majtët, për ta kaluar atë të enjten e 22 shkurtit në Parlament.

“Nesër PD nuk do të marrë pjesë në seancën e Parlamentit”, deklaroi Basha. “Nuk pranojmë të amnistohen të dënuarit për korrupsion”, ka thënë Basha qartësisht në një konferencë për shtyp.

Sipas tij, kjo është një përpjekje skandaloze në 33 vite, për të nxjerrë nga përgjegjësia penale zyrtarët e korruptuar dhe demokratët nuk do të lejojnë që diçka e tillë të ndodhë.

Shpresa ishte se PD-ja e Bashës do të bashkonte 10 votat e saj me PS-në për ta kaluar. Por, sa duket, kushtet nuk kanë qenë të pjekura për të djathtët dhe kërkesat e tyre nuk janë dëgjuar, ndaj edhe ata pritet ta bojkotojnë seancën.

Sipas draftit të zbardhur,  i cili pritet të kalojë në votim në Parlament të enjten e 22 shkurtit dhe nga ku mbi 700 të dënuar mund të përfitojnë nga një Amnisti Penale, e cilësuar si “e nevojshme” nga ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja.

Drafti në vetvete përmban tetë nene, duke përfshirë edhe kriteret e përfitimit për këtë amnisti.

Ndër kriteret e përfitimit, përmenden Të gjithë personave të dënuar, të cilët nuk plotësojnë kriteret për t’u përjashtuar nga vuajtja e dënimit, sipas nenit 3 të këtij ligji ose, edhe pse plotësojnë kriteret për përfitimin e amnistisë sipas këtij neni, nuk përjashtohen nga vuajtja e dënimit për shkak të kritereve ndaluese të përcaktuara në pikat 1 dhe 2, të nenit 4 të këtij ligji, u zbritet:

1 vit e gjysmë nga dënimi i mbetur, për personat e dënuar, gra, dhe të mitur;

1 vit nga dënimi i mbetur, për personat e dënuar, burra.

Pavarësisht nga parashikimet e pikës 1, të këtij neni, nuk përfitojnë zbritje të dënimit:

Personat e dënuar me burgim për veprat penale të parashikuara në nenet 79, 79/a, 79/b dhe 79/c të Kodit Penal;

Personat e dënuar me burgim të përjetshëm;

Nuk përfitojnë nga zbritja e dënimit personat, të cilët i janë shmangur drejtësisë, sipas përcaktimit të pikës 2, të nenit 2, të këtij ligji.

Nga ndjekja penale nga ana tjetër, përjashtohen të gjitha çështjet penale në hetim, çështjet e pashqyrtuara ose në proces shqyrtimi nga gjykatat, si dhe kallëzimet që ndodhen në këto organe, pavarësisht nga data e regjistrimit të tyre, për veprat penale të kryera deri në datën 31.01.2024, për të cilat Kodi Penal dhe Kodi Penal Ushtarak parashikon një dënim me burgim në maksimum deri në 2 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë.

Megjithatë, ka një përjashtim nga kjo klauzolë për kryerje të veprave të parashikuara nga nenet 91, 96, në paragrafin e dytë të nenit 112, në nenet 119, 119/a, 119/b, 120, 121, 122, në paragrafin e parë të nenit 124/b, në nenet 125, 127, 204, 205, 206, 207, në paragrafin e parë të nenit 257/a, në nenet 269 dhe 318 të Kodit Penal.”.

Nuk përfitojnë ndërkaq nga ky nen personat të cilët i janë shmangur drejtësisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore