Shqipëria

PS do të mbledhë Kongresin Zgjedhor më 20 korrik – Turi i Diasporës rinis në shtator


Më 20 korrik do të mbahet Kongresi Zgjedhor i Partisë Socialiste.

Të paktën kështu ka bërë me dije kryeministri i Shqipërisë dhe kreu i PS-së, Edi Rama.

Ai nga punimet e Asamblesë theksoi se, në procesin e rienergjizimit të strukturave socialiste ka pasur një rritje domethënëse të anëtarësisë aktive.

Rama shtoi se ka pasur një pjesëmarrje domethënëse në zgjedhjet që u zhvilluan me parimin 1 anëtar 1 votë për delegatët e Kongresit të ardhshëm të PS-së.

“Kemi 93 mijë anëtarë të regjistruar dhe identifikuar si të tillë në territorin e Shqipërisë, pa llogaritur 7 mijë të tjerë që i janë bashkëngjitur PS-së pas mbylljes së këtij regjistrimi në funksion të zgjedhjeve për delegatët e Kongresit”.

Rama tha se 78.6% e trupës së anëtarëve të regjistruar mori pjesë në zgjedhjet për delegatët e Kongresit.

“Shifra më e lartë që kemi pasur. Janë shtuar 32 mijë anëtarë të rinj në të gjithë territorin. 11 mijë e 400 janë të rinj deri në moshën 30 vjeç. Nga i gjithë procesi i zgjedhjeve për kongres janë propozuar 10 mijë delegatë, prej të cilëve ka dalë numri i 1 mijë e 200 delegatëve të Kongresit”.

Nga ana tjetër ai theksoi se, turet me Diasporën do të rifillojnë në shtator me Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë dhe do të shtohen në listë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Arsyet e shtyrjes për dy të parat janë dy ngjarje që do të ndodhin në ato vende: mbajtja e zgjedhjeve të parakoshme në Britani dhe nisja e EURO 2024.

“Turi do të vazhdojë në shtator, duke qenë se për shkak të zgjedhjeve të parakohshme në Londër u bë një problem më vete marrja e sallës që kishim prenotuar më parë dhe me të drejtë sepse në një situatë zgjedhore është normale që edhe ne të shmangnim një takim që pavarësisht se nuk është një takim partiak apo pavarësisht se s’ka të bëjë drejtpërdrejtë me zgjedhjet në Britaninë e Madhe, sidoqoftë është një takim politik”.

Po kështu duke qenë se parashikimi apo përgatitja për të bërë takimin tjetër të Dyseldorfit në një moment shumë afër me ndeshjen e skuadrës  kombëtare, “nuk do donim që të krijohej një ide e një përzierje të dy gjërave”.

Ndërkaq në mbledhjen e Asamblesë, zhvilluar në mars fokusi ishte te zbatimi i detyrave të lëna më herët për strukturat e partisë, si dhe korrigjimin e problematikave dhe mangësive të evidentuara në organizatat socialiste dhe anëtarësimet e reja.

Rama tha se kishte qasje vetëkritike nga eksponentët e majtë.

Kështu u vendos për zgjedhjet e brendshme të Partisë Socialiste me 1 anëtar 1 votë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore