Shqipëria

PS-ja zyrtarizon kërkesën për pjesëmarrjen në zgjedhjet vendore


Partia Socialiste e Shqipërisë ka dorëzuar zyrtarisht në KQZ shkresën ku kërkon të regjistrohet në zgjedhjet vendore të 14 majit.

Kërkesa zyrtare është firmosur nga Sekretari Socialist për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore, Eridian Salianji, ku kërkohet regjistrimi i këtij subjekti.

Dy ditë më parë, Partia e Lirisë, e udhëhequr nga ish-presidenti Ilir Meta, është regjistruar zyrtarisht në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, sa i përket votimeve që do të mbahen më 14 maj 2023, për pushtetin vendor.

Lajmin e bëri të ditur vetë forca politike e qendrës së majtë, përmes një komunikate për shtyp.

“Në respekt të Nenit 64 e në vijim të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, Partia e Lirisë është regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, si subjekt zgjedhor për zgjedhjet për njësitë e qeverisjes vendore, të datës 14 Maj”.

Në ditët në vijim pritet dhe mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për miratimin formal të këtyre kërkesave.

Afati i fundit për partitë politike që të regjistrohen në KQZ për këto zgjedhje është 6 marsi.

Me vendimin e 3 marsit të Gjykatës së Apelit, kandidatët e Partisë Demokratike do të dalin nga grupimi i Enkelejd Alibeajt.

Pritet që në dy ditët e mbetura, kandidatët e kryedemokratit Sali Berisha nga Primaret e PD-së të kuptojnë se si do të garojnë.

Një skenar i mundshëm do të jetë ai i garës nën siglën e Partisë së Lirisë, duke marrë shkas nga zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit të 2022-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore