Jetesë & Stil

Priyanka Chopra flet për mënyrën se si u përball me depresion të thellë


Aktorja indiane, Priyanka Chopra – Jonas, u përball me depresion të thellë pas vdekjes së babait të saj, Ashok Chopra.

Bashkëshortja e këngëtarit të famshëm, Nick Jonas, ka thënë se humbja e babait ishte shkatërruese për të, dhe ndikoi fuqishëm në shëndetin e saj mendor, pasi ajo kaloi vite duke u ndjerë “ e pa mbrojtur”, shkruan Hello Magazine, transmeton Albanian Post.

“Babai im ka qenë i këndshëm dhe ne kemi qenë si shokë. Kur kishim ahengje, ai gjithmonë përkujdesej të na e bënte natën të paharrueshme, me shumë të qeshura e batuta. Prandaj, kur ai vdiq ishte një zbrazëti që nuk u mbush më kurrë” tha Priyanka.

Ylli i filmit “Quantico” dikur filloi të “shërohet” nga depresioni me të cilin ajo u ballafaqua për një kohë bukur të gjatë, por procesi nuk ishte i lehtë dhe sfidat ishin vështirë të kapërcyeshme.

“Me kalimin e kohës, plagët e mia filluan të shëroheshin falë vullnetit tim për ta kaluar atë periudhë të errët të jetës sime. Kjo ka qenë hera e parë në jetën time që i kam kushtuar kaq shumë rëndësi, disponimit, emocioneve dhe ndjenjave të mija” shton ajo.

Madje, Priyanka, beson se koha dhe hapësira që ajo i dha vetës ishte indikator i fillimit të romancës me Nick Jonas – me të cilin u martua në fund të vitit 2018.

“Mendoj se kjo është ndoshta arsyeja pse isha e gatshme për ta takuar Nick-un. Isha një person i hapur dhe tentoja me çdo forcë që të mos lejoja të mbyllesha në vetvete. Kam lexuar shumë libra që më kanë frymëzuar të ec përpara pa e kthyer kokën prapa” shprehet tutje Chopra.

Në një intervistë tjetër, aktorja e filmit të famshëm “White Tiger” foli edhe për ceremoninë e dasmës së saj, duke e përshkruar atë si një ngjarje “magjike”.

Ajo dhe Nick, bënë një kombinim për dasmën e tyre duke mbajtur ceremoni festive për tri ditë radhazi, përfshirë ahengun në stilin tradicional indian dhe atë të tipit të krishterë.

“Ishte magjike. E gjitha çfarë mendoja ishte dasma ime. Në ato javë ka ndodhur shpesh edhe të harroja për të ngrënë ngase isha aq shumë e fokusuar në organizimin e ahengut me vello të bardhë” përfundon ajo.

Pryanka Chobra – Jonas është e famshme edhe si këngëtare, në repertuarin e saj numëron disa hite, si; “I can make you love me”, “Sucker”, “In my city” në bashkëpunim me Will.I.Am e “Exotic” me Pitbull.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore