Lajme

Provat për ‘çipin e trurit’ te njerëzit do fillojnë pas 6 muajsh, thotë Musk


Çipi i turit do të fillojë me provat njerëzore pas 6 muajsh.

Kështu ka bërë me dije sipërmarrësi amerikan Elon Musk.

Ai tha të merkurën e 30 nëntorit se pret që një ‘çip truri me valë’ i zhvilluar nga kompania e tij “Neuralink” të fillojë provat klinike njerëzore pas 6 muajsh.

Kjo, pasi kompania nuk i respektoi afatet kohore të mëparshme të përcaktuara prej Musk.

“Neuralink” po zhvillon lloje të çipave të trurit që mund t’u mundësojnë pacientëve me aftësi të kufizuara të lëvizin dhe të komunikojnë përsëri.

Me bazë në Zonën e Gjirit të San Franciskos dhe Austin, Teksas, “Neuralink” në vitet e fundit ka kryer teste te kafshët pasi kërkon miratimin nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave e SHBA (FDA) për të filluar provat klinike tek njerëzit.

“Ne duam të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm dhe të sigurt se do të funksionojë mirë përpara se të vendosim një pajisje të tillë te njeriu”, tha Musk gjatë një përditësimi të shumëpritur publik mbi pajisjen.

Duke folur me një turmë të ftuarish të zgjedhur në një prezantim në selinë e Neuralink që zgjati gati tre orë, Musk theksoi shpejtësinë me të cilën kompania po zhvillon pajisjen e saj.

“Dy aplikacionet e para njerëzore të synuara nga pajisja Neuralink do të jenë në rivendosjen e shikimit dhe mundësimin e lëvizjes së muskujve tek njerëzit që nuk mund ta bëjnë këtë”, tha Musk. “Edhe nëse dikush nuk ka pasur kurrë vizion, edhe sikur të ketë lindur i verbër, ne besojmë se mund të rikthejmë shikimin”.

Ngjarja ishte planifikuar fillimisht për datën 31 tetor, por Musk e shtyu atë vetëm disa ditë më parë pa dhënë një arsye.

Prezantimi i fundit publik i “Neuralink”, më shumë se një vit më parë, përfshinte një majmun me një çip truri që luante një lojë kompjuterike.

Musk, i cili gjithashtu drejton prodhuesin e automjeteve elektrike “Tesla”, firmën e raketave “SpaceX” dhe platformën e mediave sociale “Twitter”, është i njohur për qëllime të epërme si kolonizimi i Marsit dhe “shpëtimi i njerëzimit”.

Ambiciet e tij për “Neuralink”, të cilën ai e nisi në vitin 2016, janë të së njëjtës shkallë.

Ai dëshiron të zhvillojë një çip që do të lejojë trurin të kontrollojë pajisjet komplekse elektronike dhe përfundimisht të lejojë njerëzit me paralizë të rifitojnë funksionin motorik dhe të trajtojnë sëmundjet e trurit si “Parkinson” apo “Alzheimer”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore