Lajme

Protestojnë serbët në Graçanicë


Protesta e serbëve në komunën e Graçanicës, foto: Radio Evropa e Lirë.

Të mërkurën e 23 nëntorit, serbët në Komunën e Graçanicës kanë protestuar me qëllim të mbështetjes së pjesëtareve të komunitetit serb në Veri të Kosovës.

Kryetarja e komunës, Lilana Shubariç ka deklaruar se serbët në jug mbështesin bashkatdhetarët e tyre në Veri dhe vendimin e tyre për braktisjen e institucioneve të Kosovës, duke shtuar se “nëse dhuna politike vazhdon, ata e dinë se çfarë të bëjnë”.

Mirëpo, nuk ka specifikuar se për çfarë lloj dhune politike e kishte fjalën, as çfarë hapash do të ndërmarrin serbët në jug, raporton Radio Evropa e Lirë.

Protestuesit e tjerë nuk janë deklaruar pasi kishin thënë se nuk mund të thonë asgjë sepse as vetë nuk e dinë pse janë aty.

Punëtorët e institucioneve serbe në Kosovë, shpesh e kanë “obligim pune” të protestojnë për shkak të situatës politike, ose të mbështesin listën Serbe, partinë kryesore politike serbe në Kosovë.

Ekzekutivi kosovar në vend se ta shtynte vendimin për targat sipas kërkesës amerikane e kishte ndarë implementimin e tij në katër faza, qortim, gjobë, targa provuese dhe largim i të gjitha tabelave ilegale duke filluar nga 21 prilli i vitit 2023.

Targat.

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë ishin rritur prej se Qeveria e Kosovës kishte nisur më 1 nëntor zbatimin e planit të saj të shkallëzuar për konvertimin e makinave me targa të paligjshme serbe në ato RKS.

Gjendja u përkeqësua kur Lista Serbe vendosi të shtunën e 5 nëntorit që pjesëtarët e saj të largohen nga institucionet e Kosovës.

Serbët nuk do të kthehen në institucionet e Kosovës deri në momentin kur Qeveria e Kosovës do të tërheqë vendimin për targat dhe fillon formimin e Asociacionit për komunat me shumicë serbe.

Serbët kanë vendosur që të largohen edhe nga gjyqësori, Policia, Dogana.

Për të diskutuar për situatën e krijuar në mes të dy shteteve pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat në Bruksel të hënë u mbajt takimi i nivelit të lartë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili pas 8 orë bisedimesh përfundoi pa rezultat konkret.

Kur mbetën edhe pak orë para se të nis zbatimi i vendimit për gjoba, natën vonë të hënën doli ambasadori amerikan me një deklarim publik në Twitter dhe kërkoi shtyrje 48 orëshe.

Jeff Hovenier shprehu shqetësim për mos arritjen e marrëveshjes dhe kërkoi edhe një sforcim në këtë drejtim.

Tre minuta më vonë, po në Twitter u përgjigj Kurti pozitivisht.

Mu për këtë arsye zëvendës-kryeministri i Kosovës dhe formalisht krye-negociatori i Kosovës në bisedimet me Serbinë, Besnik Bislimi, të mërkurën është nisur për në Bruksel, ku do të ketë takim me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak dhe kryenegociatorin e palës serbe, Petar Petkoviç, për të diskutuar pikërisht çështjen e targave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore