Lajme

Protestohet kundër shtrenjtimit të rrymës/ “Asnjë cent ma shumë”


Ilustrim

“Asnjë cent ma shumë” është moto e protestës kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, e cila mbahet sot (e mërkure) me 26 janar në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë.

Protesta do të fillojë në orën 12:00 nga sheshi “Zahir Pajaziti” për të vazhduar deri te ndërtesa e Qeverisë së Kosovës.

Në këtë protestë do të kërkohet të mos aprovohet bllok tarifa e propozuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë ZRRE dhe që të nacionalizohet KEDS-i.

Me 28 janar 2022, Qeveria e Kosovës pritet ta miratojë propozimin e ZRRE-së për shtrenjtimin e bllok tarifës.

Ndërsa të martën, kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) Ymer Fejzullahu për katër orë ka raportuar në Komisionin për Ekonomi të Kuvendit të Kosovës, e ku e ka arsyetuar propozimin për shtrenjtimin e rrymës nga 1 shkurti 2022 deri më 1 mars 2023, i cili tha se kanë qenë të obliguar për këtë ngritje të çmimit.

Mirëpo, Fejzullahu ka thënë se në katër komunat veriore me shumicë serbe nuk është paraparë rritja e tarifave të energjisë elektrike sikur në gjithë vendin, duke lënë të nënkuptuar se në këtë pjesë nuk shtrihet autoriteti i institucioneve të Kosovës.

Ymer Fejzullahu, ZRRE

Por, se ai këtë është munduar ta arsyetoj se kjo nuk ndodh edhe në Veri për shkak të një vendimi gjyqësor.

Në anën tjetër, deputetët e opozitës kanë thënë se raporti i ZRRE-së është shkruar nga Qeveria dhe sipas tyre ky institucion i pavarur është i ndikuar nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje (LVV).

Kryetari i Komisionit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala ka thënë se ngritja e çmimeve është projekt i përbashkët mes Qeverisë Kurti dhe ZRRE-së.

Ferat Shala, PDK

Ndërsa, Ushtruesja e Detyrës së kryetares së Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se deputetët e LVV-së në Kuvend nuk do ta votojnë nesër(të mërkurën) Rezolutën me rekomandime të opozitës për refuzimin e raportit të ZRRE-së për shtrenjtimin e tarifave të energjisë elektrike.

Kusari-Lila i ka propozuar ZRRE-së që pragu i rritjes së çmimit të mos jetë 600 KWh, por në 800 KWh.

Mimoza Kusari-Lila , Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje

Gjatë raportimit për kategoritë e shtrenjtimit të rrymës dhe arsyen e saj, Fejzullahu bëri Të ditur se KEDS-i i ka borxh mbi 50 milionë euro Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), dhe theksoi se KEDS-i është i vetmi që ka kërkuar ndryshim të strukturës tarifore.

Lidhur me çështjen e shtrenjtimit të energjisë sërish është deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duke thënë se shumë shpejt do të dërgojnë komentet tek ZRRE, në lidhje me vendosjen e tarifave të reja të energjisë elektrike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore