Një protestë e radhës ka qenë ajo e banorëve në zonën përgjatë aksit Thumanë-Kashar, ku ka pasur edhe përballje me Policinë dhe përplasje fizike.
Qindra banorë nga Kruja, Fushë-Kruja dhe Thumana kanë protestuar pasditen e 8 gushtit, duke bllokuar aksin rrugor dhe më pas, me ndërhyrjen e Policisë për t’i larguar banorët nga rruga, ka pasur edhe përplasje fizike.
Situata të tilla kanë karakterizuar edhe protestat e mëparshme në këtë zonë, ku qytetarët kanë bllokuar herë pas here rrugën në shenjë proteste për ndërtimin e këtij aksi. Sipas tyre, projekti fillestar nuk është respektuar dhe për ta nuk ka hyrje-dalje në rrugën e re.
Kësisoj, nuk kanë as akses në aksin që ndërlidh dy rrugët, pra rrugën ekzistuese me autostradën e re.
Banorët pretendojnë se jeta e tyre është izoluar krejtësisht dhe bizneset po u falimentojnë, për shkak të mungesës së hyrje-daljeve në aksin e ri.
Gjatë kësaj proteste, disa prej protestuesve janë shfaqur me flamuj kombëtar dhe ato amerikanë në duar, ndërsa janë krijuar radhë makinash në të dy anët e autostradës.
Pasi për rreth një orë, ata e kanë mbajtur të bllokuar rrugën, me ndërhyrjen përfundimtare të Policisë protesta është shpërbërë. Qarkullimi i mjeteve ndërkaq është bllokuar tërësisht për rreth 30 minuta.
I pranishëm në vend ka qenë edhe drejtori i Policisë Tiranë, Tonin Vocaj.
Edhe më 24 korrik, banorët kanë reaguar lidhur me hapjen e aksit, ku kanë pretenduar sërish se bizneset e tyre janë drejt falimentimit.
“Rruga e re Thumanë-Kashar ka bërë që shumë biznese tonat, të shkojnë drejt falimentimit. Ne nuk kemi akses në rrugën Thumanë-Kashar. Na kanë bllokuar hyrje-daljet në rrugë”, kanë thënë protestuesit në kor gjatë protestës.
Nga ana tjetër, një reagim të qartë lidhur me situatën nuk ka pasur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Ende nuk kuptohet nëse është vendosur një palë dialogu me banorët e zonës për të dëgjuar kërkesat e tyre, apo jo.
Ndërsa, vetë rruga, kalimi i së cilës është me pagesë, nuk e ka nisur akoma këtë të fundit, deri në përfundim të punimeve të aksit të vjetër.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com