Kosova

Protestë në Prishtinë, kundër deklarimeve të Kurtit për Ivanoviç-in


Familjarët e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë thirrur protestë për të hënë në orën 12:00 në Prishtinë (Sheshi “Skënderbeu”) kundër deklarimeve të fundit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në raport me Oliver Ivanoviç-in, i shpallur kriminel lufte nga gjykatat në Kosovë.

Përkundër historisë së mirëditur të Ivanoviç-it edhe në kohën e luftës, por edhe pas lufte si udhëheqës i Rojave të Urave, një formacion paramilitar serb, Kurti në një adresim e lavdëroi Ivanoviçin duke e cilësuar si pishtar të bashkëjetesës në Kosovë.

Në përvjetorin e pestë të vdekjes së Ivanoviç-it, Kurti postoi një video-mesazh në Facebook, ku theksonte se “Oliver Ivanoviç ishte një person i përkushtuar për të luftuar për interesat e komunitetit dhe qytetit të tij”.

Ai deklaroi se “(Ivanoviç) e bëri këtë duke qenë i hapur, i sinqertë, gjithmonë i mprehtë në çështje të rëndësishme”, por, siç shtoi ai, “i respektonte ata me të cilët nuk ishte dakord”.

“Do të doja që kujtimi i tij të mbetet i gjallë, për një njeri që punoi për një të ardhme stabile dhe për një Kosovë multietnike”, tha Kurti në video-mesazh.

Ky vlerësim për Ivanoviç-in hasi në kundërshtime dhe kritika të mëdha në Kosovë të përfaqësues të partive politike, individëve dhe organizatave joqeveritare.

Madje ishte edhe vetë kryeparlamentari, Glauk Konjufca, që e cilësoi Ivanoviç-in si “kriminel”, kur iu kërkua ta komentonte deklaratën e Kurtit.

“Po po, ishte një kriminel pa asnjë dyshim”, tha Konjufca.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore