Kosova

Protestë në Hagë më 1 mars, kërkohet drejtësi për ish-krerët e UÇK-së


Gjykata Speciale

Më 1 mars në Hagë – qytetin holandez ku ndodhet selia e Gjykatës Speciale – në ditën e fillimit të gjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, do të protestohet me moton: “Për UÇK-në, të vërtetën dhe drejtësinë”, raporton agjencia e lajmeve Kosova Press.

Organizmi vjen nga shqiptarë të diasporës, të cilët do të kërkojnë drejtësi dhe të shfaqin mbështetjen e tyre për ish-krerët e UÇK-së ndërsa kanë iu kanë bërë thirrje jo vetëm shqiptarëve të diasporës, por edhe qytetarëve të Kosovës që t’u bashkohen në protestë paqësore.

Shqiptarët e diasporës kanë shprehur pakënaqësinë e tyre me proceset që po zhvillohen pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë dhe sipas tyre, ish-krerët e UÇK-së po përballen me një proces politik.

Një leje për organizim të protestës tashmë është siguruar nga autoritetet holandeze dhe qytetarët pritet të mblidhen në rrugën “Laan van Reagan en Gorbatsjov”, Den Haag, të mërkurën e 1 marsit nga ora 10:00 deri në 12:00.

“Në asnjë mënyrë nuk e ka menduar askush që njerëzit e paqes, që luftuan për çlirimin e Kosovës sot të përfundojnë në paraburgim në Hagë. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi dhe të tjerët nuk janë vetëm emra, por janë edhe histori e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha për KP Raif Istogu, një nga organizatorët e protestës.

“Ata nuk janë vetëm themeluesit e UÇK-së, por janë edhe baballarët e shtetit të Kosovës, themeluesit e Republikës së Kosovës, kjo është arsyeja kryesore pse ne sot po mundohemi që ta organizojmë një protestë madhështore në Hagë, për t’i treguar gjithë botës dhe për ata dhënë qëndrimin tonë se ne jemi me çlirimtarët”, shtoi ai.

Istogu tha se duan t’i tregojnë botës që janë në përkrahje të ish-pjesëtarëve të UÇK-së dhe se pret që protesta e 1 marsit të jetë madhështore, derisa konfirmoi që ajo do të mbahet në një lokacion që ndodhet pesë minuta larg institucionit të Gjykatës Speciale në Hagë.

“Neve na kanë caktuar një lokacion, ne po mendojmë që ka me u bë një protestë shumë madhështore dhe për shkak të vendit, edhe para gjykatës edhe para vendit ku është paraburgimi, nuk ka vend të mjaftueshëm për një masë të madhe që ne mendojmë që ka me pas. Neve na është caktuar një lokacion pesë minuta larg gjykatës”.

“Ne mendojmë të organizohemi me autobusë dhe kemi lidhe me kontakte thuajse me të gjitha shtete e Evropës, me Zvicrën, Austrinë, Francën, kemi kontaktuar me njerëz aktivistë dhe të gjithë janë aktivizuar që protesta të jetë sa më madhështore”, tha ai.

Ndryshe, më 1 mars, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, do të fillojë gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po qëndrojnë në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit lidhur me pretendimin për krime lufte është konfirmuar më 26 tetor 2020, ndërsa në paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara në Hagë, ata janë deklaruar të pafajshëm.

Më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendon se të akuzuarit kanë kryer krime lufte në Gjilan, Budakovë e Semetisht.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore