Lajme

Protesta të dhunshme në Liban


Më shumë se 220 njerëz janë plagosur, më 27 janar, në përleshjet e dhunshme në Tripoli midis oficerëve të policisë dhe protestuesve që dolën për të tretën mbrëmje radhazi. Protestat po zhvillohen kundër kufizimeve shëndetësore dhe kundër krizës ekonomike që po thellohet.

Sipas Agjencisë Kombëtare të Lajmeve, 226 njerëz u plagosën: 102 u trajtuan ose u transportuan drejt spitaleve nga Kryqi i Kuq Libanez; 124 protestues të tjerë u trajtuan nga Shoqata Mjekësore Islamike. Në total, 66 persona janë shtruar në spital. Në Twitter, forcat e zbatimit të ligjit raportuan nëntë të plagosur në radhët e tyre. Një oficer në gjendje të rëndë.

Përleshjet filluan gjatë pasdites kur protestuesit hodhën molotov dhe gurë në drejtim të policisë. Policia iu kundërpërgjigj protestuesve me gaz lotsjellës.

Demonstruesit e zemëruar u përpoqën të hynin në selinë e guvernatorit. Protestues të tjerë u mblodhën në Sheshin Al-Nour, një nga vendet kryesore të demonstratave.  Kujtojmë që në vjeshtën e vitit 2019 në Liban u zhvilluan protesta  të dhunshme kundër drejtuesve të qeverisë në të gjithë territorin.

“Jemi këtu për të kërkuar ushqim, njerëzit janë të uritur”, tha Mohamad Ezzedine, një protestues 20-vjeçar. “Është koha që njerëzit të dalin në rrugë”, shtoi ai. “Ne do të vazhdojmë protestat, pavarësisht  kostos. Nuk kemi asgjë më për të humbur”, shtoi një protestues. “Jetojmë në kushte të mjerueshme. Trokita në çdo derë, por nuk gjeta punë ”, thotë një 25-vjeçare e papunë.

Pas disa orësh përballje, forcat e sigurisë dhe ushtria libaneze shpërndanë protestuesit.  Protestuesit u strehuan në rrugica, ku përleshjet vazhduan deri në mbrëmje.

Sipas Kryqit të Kuq Libanez përplasjet midis demonstruesve, dhe forcave të sigurisë  lanë 45 të plagosur. Një ditë më parë u konfirmuan 30 të plagosur.

Shumë banorë janë pa të ardhura

Tripoli është tashmë një nga qytetet më të varfëra në Liban.  Pandemia e Covid-19 dhe bllokimet e deklaruara nga autoritetet kanë përkeqësuar kushtet e jetesës së banorëve të saj. Pas kufizimeve shumë banorë të Tripoli-t e kanë gjetur veten pa të ardhura.

Përpos situatës shëndetësore, Libani është bllokuar në krizën e tij më serioze ekonomike që nga fundi i luftës civile (1975-1990). Shteti libanez është goditur nga një zhvlerësim historik i monedhës, hiperinflacion dhe pushimet masivet nga puna. Gjysma e popullsisë tanimë po jeton në varfëri.

Pas Tripoli-t protestat u përshkallëzuan në disa qytete të tjera. Në kryeqytet, në Beirut, protestuesit i vunë zjarrin gomave përpara një muri që ndante sheshin Riad El-Solh,  pranë parlamentit./AlbanianPost.com

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore