Shqipëria

Protesta në Rinas/ Kreu i ARRSH-së: Devijimi zgjidhje e mirë, banorët të përdorin rrugicat


Në një reagim pas protestave të banorëve të fshatit Rinas, kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Evis Berberi, e quajti devijimin me një sens të rrugës së aeroportit si “një zgjidhje të mirë të lëvizjes së trafikut”.

Madje, në deklaratën konfirmuar edhe nga zyra e ARRSH-së për Albanian Post, Berberi këshillon banorët e zonës që të përdorin rrugicat.

Sipas tij, situata do të normalizohet pas sezonit turistik, duke thënë se do të bëhet një rrugë tjetër që të çon në aeroport.

“Kjo është një zgjidhje provizore. Jemi duke i dhënë një zgjidhje që të kemi një rrugë tjetër që të na çojë në aeroport. Shpresoj që brenda muajit korrik të kemi në përfundim këtë segment”.

“Plani nuk është zgjerimi i rrugës. Një nga opsionet është krijimi i një rruge të re nga ish-reparti ushtarak që del direkt në Aeroport”, vijoi më tej ai.

Për sa u përket banorëve të zonës, kreu i ARRSH-së shpjegoi se ata mund të përdorin rrugicat.

“Ky vendim është marrë në një studim të thellë të bërë, Banorët e zonës kanë problemet e tyre, por kanë një zgjidhje. Mund të kryejnë një lëvizje me 2-3 kilometër me tepër”.

Kjo lëvizje, vijoi më tej Berberi, është bërë për “të mos dëmtuar ata që do na sjellin të ardhura shtesë”.

“Duke parë të mirën e përbashkët dhe të mirën që do na sjellin turistët, do ishte mirë që këta banorë të na kuptonin”, përfundoi fjalën e tij Berberi.

Nga ana tjetër, banorët kanë këmbëngulur se ata do të vazhdojnë të dalin në protestë dhe të bllokojnë rrugën deri sa t’u plotësohet kërkesa për kthimin e rrugës në normalitet.

Protestat e banorëve

3 maji shënoi ditën e dytë të protestës për banorët e fshatit Rinas, të cilët  përreth një orë bllokuan rrugën që të dërgon tek Aeroporti i Tiranës “Nënë Tereza”, në kundërshtim me devijimin e këtij aksi.

Nëse rruga nuk bëhet me dy sense lëvizje, ata kanë kërcënuar me bllokimin e këtij aksi dhe bojkotimin e shkollës për fëmijët.

Gjatë një prononcimi për mediat, kryeplaku i fshatit të Rinasit, Sabah Muja, ka dhënë ultimatum që, nëse rruga nuk do të hapet deri nesër, “s’do çojmë fëmijët në shkollë dhe do bllokojmë aeroportin ‘Nënë Tereza’”.

Vendimi i ARRSH-së

Ka qenë Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), i cili ka njoftuar se, pas periudhës së COVID-19, është rritur edhe fluksi i fluturimeve, si pasojë edhe qarkullimi i mjeteve, duke krijuar probleme për udhëtarët për të kapur linjat e fluturimeve në orarin e caktuar.

Kështu me qëllim shmangien e vonesave për lëvizjen drejt aeroportit, si dhe rritjen e sigurisë rrugore, është bllokuar për një afat të pacaktuar lëvizja drejt aeroportit të realizohet me një sens lëvizje me drejtimin nga Qafë Kashari-Rrethrrotullimi i “Nënë Terezës”-Ahmetaj.

Mjetet që vijnë nga veriu për drejtimin në Rinas do të ndjekin lëvizjen Fushë Krujë-Vorë-Qafë Kashar-Aeroport.

“Kërkojmë mirëkuptimin e përdoruesve të rrugës dhe drejtuesve të mjeteve për këtë ndryshim të qarkullimit!”, shkruhet në njoftimin e ARRSH-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore