Lajme

Protesta e PSD-së – Molliqaj: Qeveria mori masa vetëm pasi u zgjodh presidentja


“Jemi këtu për të treguar qëndrimin lidhur me menaxhimin e pandemisë, ne nuk jemi kundër masave të qeverisë pasi jemi të vetëdijshëm për gjendjen e rëndë me pandeminë mirëpo kundërshtojmë fuqishëm orën policore e cila është vendosur shabllon pasi qeveria Kurti nuk ka menduar më gjatë për të ndërmarrë një masë të tillë”, ka thënë Dardan Molliqaj, kryetar i Partisë Social Demokrate të Kosovës, pas një aksioni simbolik tek ndërtesa e Qeverisë së Kosovës.

Molliqaj nga PSD-ja ka thënë se ata nuk po kundërshtojnë të gjitha masat e vendosura nga Qeveria, por vetëm masën e orës policore nga ora 10:00 deri në ora 05:00.

Sipas tij, Qeveria Kurti i ka vendosur këto masa pak ditë pasi është bërë zgjedhja e presidentes së Kosovës, duke thënë se nuk është menduar gjatë para vendosjes së tyre ashtu siç është thënë nga ekzekutivi.

Molliqaj po ashtu ka kritikuar edhe refuzimin e vaksinave nga Shqipëria duke e quajtur këtë krejtësisht politike.

“Refuzimi i vaksinës nga Shqipëria është një masë e papërgjegjshme. Bota perëndimore po vuan nga kapitalizmit. Ata po vaksinohen në masë për veti dhe solidariteti është zero. Refuzimi i Kosovës është krejtësisht politik”.

Të mërkurën kanë hyrë në fuqi masat e reja anti-COVID.

Në kuadër të këtyre masave do të ndalohet qarkullimi nga ora 22:00 deri në orën 5:00 të mëngjesit.

Shkollat do të mbyllen dhe gastronomia do të funksionojë me shërbimin “merre me vete”.

Po ashtu institucionet publike dhe private të arsimit para universitar do jenë online nga data 12 deri më 18 prill ndërsa ato universitare nga data 7 deri më 18 prill.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore