Shqipëria

Protesta e 7 korrikut konfirmon ndarjen e demokratëve


Protesta e 7 korrikut e lajmëruar prej kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka konfirmuar bojkotimet e para dhe pjesëmarrjet nga radhët e demokratëve.

Figura si Enkelejd Alibeaj, Gazment Bardhi dhe Ferdinand Xhaferaj deklaruan se nuk do të marrin pjesë në protestën, e cila ende nuk ka një vendndodhje të përcaktuar.

Alibeaj rikonfirmoi bindjen se nuk mund të jetë Sali Berisha “përfaqësimi i atyre njerëzve, të cilët sot vuajnë gjithmonë e më tepër”.

“Jo, nuk do të marr pjesë në protestë. Unë jam plotësisht dakord për të marrë pjesë në çfarëdolloj proteste që ka të bëjë me problematikat e qytetarëve, por kjo protestë nuk ka të bëjë me problematikat e qytetarëve”, deklaroi deputeti Ferdinand Xhaferaj.

Ndërsa protagonistë të tjerë brenda selisë blu, si: Grida Duma, Oriola Pampuri, Tomor Alizoti, Ervin Salianji deklaruan se do të marrin pjesë në protestën e 7 korrikut.

“Unë jam pro protestave, besoj se protesta do të bashkojë demokratët, pastaj çfarë do të bëjë hierarkia lart është punë tjetër”, shtoi deputetja Grida Duma.

Thirrja fillestare për protestën u bë nga Berisha në oborrin e Kuvendit. Asokohe, ai ftoi gjithë qytetarët shqiptarë për të marrë pjesë në “protestën madhështore” në orën 19:00.

“Kjo nuk është një protestë vetëm e PD-së. Është një protestë e shoqërisë civile”, vijonte ish-kryeministri.

Ndërkohë, po atë ditë, mazhoranca do të prezantojë rezolutën kundër gjenocidit serb në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Kryetari i grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, e ka cilësuar kreun demokrat, Sali Berisha, si bashkëpunëtor të ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviçit.

Balla tha se Berisha për disa vite ka furnizuar makineritë e luftës me karburant, gjë që, sipas tij, e konfirmojnë edhe raportet amerikane.

“Gjenocidi serb, nga ushtria jugosllave është ushqyer me naftën prej teje. Kjo çështje nuk mbyllet sot. Në 25 prill të 1995, pra rreth 3 muaj nga dita e ndodhjes së kësaj tragjedie, gazeta New York Times publikon një raport, ku thuhej se Shqipëria po furnizon me naftë kontrabandë ushtrinë serbe në Bosnjë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore