Lajme

Propozimi për shtrenjtimin e rrymës – Opozita kritikon Qeverinë: Qytetari paguan katër here faturën e rrymës


Të enjten e 20 janarit në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet për krizën energjetike në vend dhe propozimin e Zyrës së Rregullatori të Kosovës për shtrenjtimin e rrymës, deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala ka thënë se propozimi në fjalë është jashtëzakonisht jo profesionale.

Sipas tij propozimi i ZRRE-së është një miks kalkulimesh e linjash buxhetore jashtë çdo parimi profesional dhe human, por edhe Ligjor.

“Analiza e ZRRE-së është jashtëzakonisht e keqe, kjo është pasqyra më reale e Qeverisë Kurti që na ofrohet sot”. ka thënë Shala.

Për Shalën ky raport nuk pasqyron e as nuk parasheh asnjë rresht asnjë shifër zgjidhjen e tarifës së konsumatorëve për pjesën Veriore të Kosovës.

“Pra Qeveria nuk po guxon dhe nuk duhet të lejoj që tash e tutje të rrjedhin parat pa kontrolluara drejt pjesës veriore të Kosovës e që janë me qindra miliona euro. Si PDK kërkojmë nga Qeveria dhe nga ky kuvend ta kthej në pikën zero këtë propozim të ZRRE-së”.

Ferat Shala

Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri gjatë fjalimit të tij ka thënë se qytetari i Kosovës paguan katër herë faturën e rrymës.

“Një herë e paguan faturën e KEDS-it, herën e dytë e paguan subvencionin që shteti – kjo Qeveri i jep 75 milion euro, herën e tretë paguan për të gjithë ato familje edhe të gjithë atë amvisni që shpenzojnë deri në 600kilovat orë dhe herën e katërt paguajnë për qytetarët serb të Veriut të cilët nuk e paguajnë rrymën”, ka thënë Tahiri.

Besnik Tahiri

 

E në anën tjetër shefi i Grupit Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, gjatë fjalimit të tij në Kuvendin e Kosovës ka thënë se qytetarët e vendit po përballen me një krizë energjetike të pazakonshme dhe me një kërcënim nga Qeveria për rritjen e energjisë elektrike “rreth 300%”.

Ai ka thënë se vetëm një vit më parë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e projektonte vetën si “një magjistarë politik që do ta ndryshonte edhe rendin botëror” duke krijuar përshtypjen për vete se bota ishte në pritje të tij, e tani kur kaluan një vit sipas Gashit, Kurti “as nuk u shndërrua në politikan botëror, por u shndërrua në një politikan në thelb i cili prodhon përditë probleme për vendin e tij”.

Gashi tutje ka thënë se Kurti u shndërrua në “politikan akrobat që e ka shndërruar Kosovën në një cirk terri, duke shfaqur paaftësinë e tij qeverisëse. Ti e refuzove blerjen e energjisë elektrike, ti e refuzove gjitha projektet që kanë të bëjnë me thëngjill, me erë, me ujë, me solar dhe nuk ofrove asnjë zgjedhje”, ka thënë ai.

Arben Gashi

Ndërsa në anën tjetër Për Shefen e Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, kthimi i bllok tarifave është e pa evitueshme ashtu si ka propozuar Zyra e Rregullatorit të Kosovës pas krizës energjetike në vend.

“Bashkë me kthimin e shprehisë së kursimit dhe vetëdijesimit të konsumatorëve për kursimin e energjisë gjë e cila u hoq në vitin 2017”, ka thënë Kusari-Lila.

Sipas saj nuk mund të fajësohet Qeveria aktuale për situatën energjetike në vend dhe se partitë që kanë qenë në pushtet në të kaluarën duhet të reflektojnë.

“Mungesa e vendimeve ndër vite në veçanti në sektorin e energjisë po ndjehet sot më shumë se kurrë. Sado që duam apo duan ta faturojnë këtë situatë energjetike Qeverisë duhet të bëjë reflektim mbi rrethanat e mungesës së vendimmarrjes që e kishin gjashtë qeveri përpara”, ka thënë ajo.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore