Lajme

Propozimi franko-gjerman për dialogun, Kuchta: Shpresoj se do të kemi përparim


Tomas Kuchta

Ambasadori i Çekisë në Serbi, Tomas Kuchta, ka vlerësuar se mund të ketë përparim në procesin e dialogut Kosovë-Serbi pas propozimit franko-gjerman të cilin Albanian Post e ka publikuar të dielën e 18 shtatorit.

“Duket se ne mund të vazhdojmë të flasim për një propozim specifik dhe shpresoj se do të kemi një përparim”, ka thënë Kuchta.

Diplomati çek theksoi se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë treguar një dëshirë të madhe për të bërë progres dhe sipas tij janë shumë aktivë në këtë drejtim.

Duke folur për Komunitetin Politik Evropian, ai nënvizoi se kjo nismë do t’i mundësojë Ballkanit Perëndimor të jetë pjesë e zgjidhjeve në lidhje me sigurimin e burimeve të energjisë dhe një qasje të përbashkët për çmimin e tyre.

“Mendoj se të gjithë e panë jo vetëm që BE-ja është më e fortë se përpara shkurtit të këtij viti, por edhe se BE-ja po mbështet në vendet e Ballkanit Perëndimor, se të gjithë e dinë se është vetëm çështje kohe që Ballkani Perëndimor të bëhet pjesë. të BE-së”, ka deklaruar ai, transmeton mediumi serb “Danas”.

Propozimi franko-gjerman

Të dielën e 18 shtatorit, Albanian Post publikoi dokumentin katër faqesh i cili paraqiste planin në kornizën e re për marrëveshje në mes të Kosovës e Serbisë, i përpiluar pas angazhimit të këshilltarëve të presidentit Emmanuel Macron dhe kancelarit Olaf Scholz.

Aty thuhet se në vitin 2023 duhet të nënshkruhet marrëveshja e dytë për normalizim të marrëdhënieve, pas asaj të vitit 2013, me të cilën Serbia faktikisht e pranon realitetin e Kosovës shtet të pavarur, por nuk e njeh formalisht.

Në një fazë të mëvonshme, hipotetikisht pas 10 vitesh, atëherë kur BE-ja është e gatshme të zgjerohet dhe ta përfshijë Ballkanin perëndimor, arrihet marrëveshja për njohje të ndërsjellë, si parakusht i të dy shteteve për anëtarësim në BE.

Me marrëveshjen e vitit të ardhshëm (nëse pranohet propozimi) Kosovën e pranojnë edhe pesë shtetet që akoma nuk e kanë njohur të Bashkimit Evropian, kurse Serbia do të përfitojë një ndihmë masive financiare, asistencë ekonomike dhe do njihet si fuqia e rajonit.

“’Korniza e re’ të cilën e publikoi Albanian Post është propozimi i ri i ardhur direkt nga përfshirja e Macron e Scholz në procesin e dialogut, sepse siç thuhet në dokument ‘Kosova e Serbia në vete nuk do të mund ta zgjidhin kurrë problemin’”.

Dokumenti shpjegon logjikën prapa kornizës së re, përmban vizionin 10 vjeçar të zgjidhjes së problemit dhe jep një “makro-perspektivë”.

Përbëhet nga hyrja dhe më pas është i ndarë në tri segmente bashkë me tre nën-titujt që përmbajnë 13 pika.

Të gjitha segmentet shpjegojnë të ashtuquajturën “kornizën e re”, e cila u është prezantuar Albin Kurtit e Aleksandër Vuçiç-it.

Propozimi në fund parasheh edhe si të vazhdohet tutje nëse Kosova dhe Serbia nuk pranojnë këtë propozim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore