Propaganda e Vuçiç-it: Qeveria e Kosovës ndjek një ideologji “anarkiste-marksiste-hoxhiste”

SHFLETO

Aleksader Vucic

 

Dini Fetahu
18.09.2024 20:39
Loading Icons...

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka pretenduar se autoritetet e Kosovës “nuk kanë dashur asnjëherë dialog” dhe se në “çdo mënyrë po mundohen të fajësojnë Beogradin për ngjarjet e këqija në terren”.

Në një intervistë për televizionin e afërt me regjimin e tij “Pink”, Vuçiç ka pretenduar se Qeveria e Kosovës ndjek një ideologji “anarkiste-marksiste-hoxhiste”, qëllimi i parë dhe kryesor i së cilës, siç propagandon ai, “është dëbimi dhe shkatërrimi i serbëve në Kosovë”.

“Kemi të bëjmë me njerëz të zellshëm. Ata kurrë nuk kanë dashur dialog. Qëllimi i tyre i parë dhe themelor është dëbimi dhe shkatërrimi i serbëve në Kosovë. Kur ke një synim të tillë, dhe nuk ke çfarë të ofrosh ekonomikisht, atëherë është e qartë se do ta bësh”, propagandoi ai.

Duke folur për të ashtuquajturat masa gjoja për mbrojtjen e serbëve në Kosovë, Vuçiç theksoi se Beogradi “nuk po kërkon asgjë më shumë se sa është rënë dakord në dialogun me Prishtinën, që nga formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe e deri tek zgjedhjet lokale në Veri të Kosovës”.

“Ne po mbushim një vakum ligjor sepse disa vendime nuk janë të pavlefshme, por janë inekzistente për ne sepse janë marrë jashtë ligjit ndërkombëtar publik dhe jashtë çdo gjëje që ne vetë e kemi rregulluar përmes dialogut. Është plotësisht legjitime dhe legale”, pretendoi.

Ai shtoi se nuk pret ditë “të mira” sa i përket vazhdimit të dialogut me Kosovën, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Dalëngadalë po përgatitemi për Kuvendin e Serbisë dhe masat tona. Ne do të jemi gjithmonë me njerëzit tanë në Kosovë dhe presim të shohim nëse KFOR-i do ta mbajë fjalën se nuk do të lejojë hapjen e urës në Ibër pa dialog dhe marrëveshje me Serbinë”, deklaroi kreu serb.