Libra

Promovohet libri “Lëvizjet Studentore për Republikën e Kosovës” i Atdhe Hetemit


Është promovuar libri “Lëvizjet Studentore për Republikën e Kosovës” i autorit Atdhe Hetemi, libër ky që përmban tërë substancën historike, politike dhe shoqërore të studentëve të Universitetit të Prishtinës në tri periudha të ndryshme.

Autori në këtë vepër paraqet një trajektore historike të se si ka progresuar ideja dhe roli studentor në statusin e “Republikës” së Kosovës, si dhe peshën e studentëve në formësimin e vetëdijes kolektive të shoqërisë kosovare.

Autori Hetemi tha se “Ky libër ka lindë si rezultat i interesimit tim për historinë politike të periudhës bashkëkohore të ballkanit perëndimo. Edhe trajton një temë mjaftë interesante që ka të bëjë me lëvizjet studentore të viteve 68-89-97”

Edhe profesori Shemsi Krasniqi në këtë event promovimi dha një analizë të detajuar sociologjike, për veprën por edhe pikëvështrimet e tij personale për temën e trajtuar nga Hetemi.

“Sa i përket metodologjisë [së veprës], metodologjia është shumë e pasur, e shumëllokjshme. Autori bën analiza teorike, historike, sociale, demografike dhe politike, të gjitha këto të bazuara në një bazë shumë të gjerë të dhënash”, tha Krasniqi

Tutje Krasniqi theksoi se “Universiteti i Prishtinës nuk është vetëm objekt studimi, por është edhe vetë subjekt i rëndësishëm në historinë e këtij vendi”.

Poashtu edhe sociologu dhe profesori universitar Gëzim Selaci ofroi një lexim autentik, sugjestiv dhe gjithëpërfshirës të veprës së Hetemit. Ai identifikoi një pikë mjaftë të rëndësishme të veprës, që sipas tij, është “Vetëdijësimin politik i shoqërisë që e kishte mundësuar progresi i përgjithsëm politik por edhe ekonomik në atë kohë në Jugosllavi, dhe ishte ndihmuar në Kosovë veçanërisht nga Universiteti i Prishtinës.”

Tutje Selaci vazhdoi se “ka një moment të rëndësishëm politik në secilën nga këto demonstrata [68,81,97] që meritojnë vëmendje për një analizë të mirrëfillt të këtyre ngjarjeve.”

Ky libër përmbush një boshtllëk në literaturën shkencore për lëvizjet studentore të Universitetit të Prishtinës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore