Kosova

Prokuroria urdhëroi arrestimin e kryeshefit të KEK-ut, deputeti i VV-së sulmon kryeprokurorin Isufaj


Arbër Rexhaj

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, ka sulmuar kryeprokurorin Blerim Isufaj, pasi Prokuria Speciale urdhëroi arrestimin e shefit ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, nën dyshimin për kryerjen e tri veprave penale.

Rexhaj, i cili është deputet i partisë në pushtet, arrestimin e drejtorit të KEK-ut e lidhi me mosemërimin e Isufajt si kryeprokuror i shtetit, duke aluduar se ky i fundit edhe mund të ketë mbështetje nga aktorë të tjerë. Ai tha se kryeprokurorin Isufaj s’e do asnjëri nga tre krerët shtetëror – Vjosa Osmani, Albin Kurti dhe Glauk Konjufca.

“Kush është ky Blerim Isufaj që nuk e duan për kryeprokuror asnjëri nga tre krerët shtetëror (Presidentja , Kryeministri e Kryeparlamentari) e megjithatë don që me çdo kusht e për çfarëdo çmimi të bëhet Kryeprokuror?! Ai ka siklet të madh diku e mbështetje jo të vogël prej ndokujt”, shkroi Rexhaj.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar të mërkurën se shefi ekzekutiv i KEK-ut, Nagip Krasniqi, është arrestuar nën dyshimin se ka kryer veprat penale: “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’; “Ushtrimi i ndikimit’’ dhe “Konflikti i interesit’’.

Krasniqi para kësaj pozite ishte drejtues i Komitetit për Energji në Lëvizjen Vetëvendosje, ndërsa arrestimi i tij dhe dy personave të tjerë ka ardhur pas bastisjes së zyrave të KEK-ut pasditen e së mërkurës.

Ai po dyshohet për keqpërdorime në një tender prej 3.4 milionë euro me kompaninë “Litwin SA” dhe partnerin vendor “Bujar B. Shala B.I.”, për kryerjen e punëve për remontin e turbinës dhe gjeneratorit të Njësisë A5 të TC “Kosova A”.

Krasniqi është dërguar në mbajtje për 48 orë. Atij i janë bastisur edhe dy banesat e tij, ku janë sekuestruar dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin, pajisje elektronike si tre kompjuter, një laptop, një celular, një USB, në cilësi të provave materiale që do të shërbejnë për procedurën e mëtejme.

Ndryshe, është bërë rreth një vit që Blerim Isufaj është votuar unanimisht nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) me 11 vota pro që të bëhet Kryeprokuror i Kosovës. Mirëpo, emërimin e tij deri më tani nuk e ka dekretuar presidentja Vjosa Osmani përkundër insistimit të KPK-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore