Lajme

Prokuroria Themelore demanton Gërvallën: Po, Martin Berishaj po hetohet


Martin Berishaj

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka deklaruar se Martin Berishaj nuk po hetohet nga asnjë institucion, prandaj as nuk mund ta shkarkojë, por Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ri konfirmuar për Albanian Post se ambasadori i Kosovës në Kroaci Berishaj, është duke u hetuar për çështjen penale të mos-deklarimit të pasurisë

“Ju njoftojmë lidhur me kallëzimin penal kundër M.B., në drejtim të veprës penale ‘Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare’, nga neni 430 të KPRK-së, se në këtë çështje penale janë duke u ndërmarrë veprime hetimore nga ana e Prokurorit të Shtetit”, thuhet në përgjigjjen e Laureta Ulaj, zyrtare për informim nga Prokurorisë Themelore e Prishtinës, për Albanian Post.

Por, përveç se nga Prokuroria Themelore e Prishtinës që ka njoftuar zyrtarisht se po e heton ambasadorin, Martin Berishaj qysh nga vera e këtij viti është nën hetime edhe nga Prokuroria Speciale për shpëlarje parash.

Zyrtarisht nuk është kthyer përgjigje nga Prokuroria Speciale, por AP merr vesh me burime brenda Prokurorisë Speciale se hetimi për ambasadorin e Kosovës në Kroaci për këtë vepër penale po vazhdon.

Pyetur nga AP se a po hetohet Berishaj edhe për pastrim parash, përveç për mos-deklarim të pasurisë, apo deklarim të rrejshëm, burimet kanë konfirmuar që “po, dhe hetimi po vazhdon”.

Çështja e hetimit të Berishajt u ri-aktualizua pasi ministrja Gërvalla deklaroi në konferencë për media se mbase do të merrte masa për ta shkarkuar, porse nuk e bën dot meqë nuk ka asnjë hetim nga institucionet për ambasadorin.

Duke mos njohur hetimet nga institucionet e shtetit që përfaqëson, Gërvalla tha se aktualisht ka “vetëm spekulime mediatike”.

Gërvalla refuzon ta shkarkojë, ministrja sllovene refuzon ta komentojë – Martin Berishaj ambasadori i shndërruar në problem

Çka publikoi gazeta sllovene Prava?

Media sllovene Prava ka publikuar të dhëna të fundit për transaksione të dyshimta dhe aty zbulohet se bëhet fjalë për afër 100 milionë euro të dërguara nga GEN-I në Slloveni si kompani qendrore në degë dhe filale të ndryshme si në Bosnje dhe Hercegovinë, Serbi e Shqipëri.

Prava shkruan se kanë siguruar qasje në atë që ata i referohen si “kontabiliteti kreativ akrobatik i diskutueshëm i shitësit më të madh të energjisë elektrike GEN-I”.

“Ne pa dashje u vumë në dijeni për transaksionet e GEN-I në filialet e huaja në Sarajevë (BiH), Tiranë (Shqipëri) dhe Beograd (Serbi)”, shkruan mediumi.

“Kemi vënë re se në vitet 2015-2021 kanë transferuar gati 100 milionë euro në tre filialet e tyre të huaja. Nga këto, 60 milionë euro janë transferuar në Bosnje dhe Hercegovinë për të paguar për zbatimin e operacionit bankar financimi i faturave. Në Shqipëri, me shumë gjasa e kanë mbuluar humbjen e filialit shqiptar me një operacion të dyfishtë financiar të kryer në vitin 2021”.

“Për këtë kanë shpenzuar 14 milionë euro! Më në fund, vijmë në GEN-I Beograd”.

Në vitin 2019 dhe 2020 GEN-I ka kryer disa transferta në vlerë prej disa milionë eurosh për qëllime të funksionimit të bankës së financimit të faturave në degën e saj në Beograd, thuhet në këtë shkrim të mediumit slloven.

Mediumi bën ndërlidhjen mes dërgesave të parave nga GEN-I në Slloveni për tek filialet në Beograd dhe më pas pagesat nga Beogardi direkt për në kompaninë e Martin Berishajt MB Consulting.

“Është veçanërisht e rëndësishme të shikoni datat. Siç e keni vënë re në të dhënat e mësipërme, të gjitha transaksionet nga GEN-I slloven në filialin serb në Beograd kanë ardhur në vitin 2019. Nga janari 2019 deri në shtator 2020, Martin Berishaj ka bërë disa tërheqje cash në shumën prej 600 mijë eurosh nga llogaria e kompanisë së tij MB Consulting”.

“Gjatë kësaj periudhe, kompania sllovene GEN-I ka transferuar 4 milionë e 183 mijë e 834 euro përmes transaksioneve me derivateve financiare nën etiketën financim ‘Fatura’ nga janari deri në dhjetor 2019. Ka shumë të ngjarë që një pjesë e parave të tërhequra të Martin Berishaj të ketë ardhur përmes remitancave sllovene gjatë kësaj periudhe”.

Mediumi Prava ka bërë edhe një ndërlidhje mes transaksioneve të GEN-I dhe fushatës së Lëvizjes Vetëvendosje, por vetëm në rrafsh supozimi dhe pa ndonjë informacion konkret.

“Ka pasur disa sugjerime dhe informacione se paratë janë transferuar nga njëra nga filialet e GEN-I jashtë vendit për fushatën zgjedhore të kryeministrit aktual të Kosovës, Albin Kurti, dhe se një pjesë e parave i ka shkuar një organizatë jo qeveritare”, thuhet në tekstin e Prava.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore