Lajme

“Prokuroria s’është në gjendje të provojë akuzat ndaj Haradinajt”


Avokati Toby Cadman dhe Nasim Haradinaj

Avokati Toby Cadman, ka deklaruar se Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) nuk është në gjendje të vërtetojë asnjë nga pikat e akuzave me të cilat është ngarkuar klienti i tij, ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Nasim Haradinaj.

Cadman në seancën e cila po zhvillohet sot (e merkur) më 16 mars, është duke e paraqitur deklaratën përmbyllëse të mbrojtjes para trupit gjykues në Dhomat e Specializuara në Hagë, ka deklaruar se e tërë çështja e ZPS-së është e mangët dhe e tillë, duhet të hidhet poshtë.

Ka mungesë të plotë provash për të vërtetuar pretendimet kundër Haradinajt ka thënë Cadman.

“Nëse dikush meriton drejtësi, dhe të gjithë meritojnë drejtësi. Prokuroria e ka pranuar përmes zonjës Pumper, dhe duhet pranuar që nuk janë ndjekur penalisht këtu kryesit serbë”.

Ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Nasim Haradinaj

“Kjo do të thotë që nuk ka hetime në vazhdim për masakrat e shumta të kryera nga serbët në Kosovës, forcat ushtarake dhe paramilitare dhe disa prej tyre janë edhe në njoftimet e Interpolit. Disa prej tyre janë madje krenarë që janë shtytës të këtij procesi këtu”, ka deklaruar Cadman.

Ai ka dhënë kritika për ZPS-së për sa i përket nxjerrjes së dokumenteve, për çka ka thënë se ai dhe klienti i tij, Haradinaj nuk i kanë pasur dokumentet e duhura, dhe si pasojë e kësaj nuk e kanë pasur mundësinë e duhur për t’i bërë kundër pyetjet.

Mungesa e dhënies së dokumenteve përbën pengesë për një gjykim të drejtë ka thënë Cadman duke kundërshtuar të gjitha pikat e aktakuzës së ngritur nga ZPS-ja.

“Nuk ka pasur kanosje apo pengim, apo ndërhyrje. Nuk ka pasur as hakmarrje. Nuk duhet harruar që në asnjë fazë prokuroria nuk ka identifikuar asnjë dëshmitar, i cili do të ishte frikësuar apo kërcënuar si rezultat i veprimeve të zotit Haradinajt, apo të bashkë akuzuarit Gucati”.

“ZPS-ja nuk ka identifikuar se kundër kujt janë hakmarrë dhe akuzat i ka bërë në terme të përgjithshme. Shkurtimisht, ne i përmbahemi qëndrimit që ZPS-ja nuk është në gjendje të provojë asnjërën nga pikat e aktakuzës”, ka thënë Cadman.

Të gjitha veprimet e Nasim Haradinajt lidhur me dosjet e arritura në zyrat e OVL-UÇK-së ishin bërë me qëllim të interesit publik, ka deklaruar ai.

“Nuk ka absolutisht asnjë provë që vërteton se dokumentet ishin të fshehta, se ishin sekrete. E tërë çështja e ZPS-së është kaq e mangët sa që duhet të hidhet poshtë”, ka deklaruar Cadman.

Avokati i Haradinajt, ka mbështetur në tërësi parashtrimet paraprake të avokatit mbrojtës së Hysni Gucatit, dhe ka thënë se ZPS-ja ka refuzuar të nxjerrë detajet e hetimit të vet që lidhen me rrjedhjen e informacionit.

Arrestimi i Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt nga zyrtarët e EULEX dhe përfaqësuesit e Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale

Aktakuza fillestare kundër Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit ishte konfirmuar më 11 dhjetor 2020, ndërsa publike ishte bërë më 14 dhjetor 2020.

Më 23 qershor 2021, Kolegji i Apelit kishte miratuar, pjesërisht, ankesat e Gucati dhe Haradinaj në lidhje me defektet e pretenduara në formë të aktakuzës andaj urdhëroi që një version i korrigjuar i aktakuzës të ngritët nga Zyra e Prokurorit Special.

Aktakuza e korrigjuar është ngritur më 5 korrik 2021.

Sipas aktakuzës thuhet se së paku nga 7 deri më 25 shtator të vitit 2020, me anë të tre konferencave për shtyp dhe ngjarjeve të tjera të transmetuara, si dhe përmes përhapjes së mëtejshme, Gucati dhe Haradinaj kishin zbulua, pa autorizim, informacione të mbrojtura sipas ligjit të Dhomave të Specializuara, përfshirë detajet identifikuese të dëshmitarëve të caktuar (të mundshëm).

Aktakuza gjithashtu thotë se Gucati e Haradinaj kanë bërë akuza dhe vërejtje nënçmuese kundër dëshmitarëve (potencialë) dhe në mënyrë të përsëritur shprehën synimin e tyre për të minuar Dhomat e Specializuara.

Ndërsa në zyrat e OVL-së disa herë një person i pa identifikuar kishte dërguar pako të materialeve të cilat kishin rrjedhur nga Gjykata Speciale, ndërsa Gucati dhe Haradinaj i kishin bërë thirrje publike organeve të shkojnë dhe ti marrin ato dokumente.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj ishin arrestuan në Prishtinë më 25 shtator të vitit 2020.

Paraqitjet e para të Haradinajt dhe Gucatit si të dyshuar para gjyqtarit të vetëm, Nicolas Guillou, u mbajtën respektivisht më 29 shtator 2020 dhe 1 tetor 2020.

Paraqitjet fillestare të Gucati dhe Haradinaj u zhvilluan më 18 dhjetor 2020 para gjyqtarit të procedurës paraprake, Nicolas Guillou.

Gucati u deklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës, ndërsa Haradinaj zgjodhi të paraqiste deklaratën e tij brenda 30 ditëve. Gjatë paraqitjes së tij të mëtejshme më 8 janar 2021, Haradinaj nuk arriti të bëjë një deklaratë. Në përputhje me rrethanat, në përputhje me Rregullën 92 (2) (f) të Rregullores, Gjyqtari i Procedurës Paraprake paraqiti një deklaratë të pafajësisë në emër të tij.

Më 9 Prill 2021, Prokurori Special paraqiti, si konfidencial, përmbledhjen e tij paraprake në këtë rast.

Më 16 korrik 2021, Gjyqtari i Procedurës Paraprake kishte përcjellë dosjen e çështjes Trupit Gjykues II.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore