Lajme

Prokuroria propozon 30 ditë paraburgim për Sanduloviç, njofton avokati i tij


Nikolla Sanduloviç

Çedomir Stojkoviç, avokat serb, nëpërmjet një postimi në platformën sociale, X, të shtunën, ka bërë të ditur se Prokuroria në Nish të Serbisë ka propozuar 30 ditë paraburgim për ish-kandidatin për president të Serbisë, Nikolla Sanduloviç, ndaj të cilit u raportua se Agjencia e Sigurimit dhe Inteligjencës (BIA), ushtroi dhunë brutale.

Sipas avokatit Stojkoviç, kërkesa për 30 ditë paraburgim nga ana e Prokurorisë së Nishit ka ardhur pasi Sanduloviç ka vendosur lule mbi varrin e Komandantit Legjendar, Adem Jashari, dhe ka kërkuar falje publike për krimet e kryera në Kosovë nga ana e shtetit të Serbisë.

Me këtë veprim Prokuroria ka vlerësuar se Sanduloviç ka kryer veprën penale “nxitje e urrejtës kombëtare”.

“Jemi në pritje të vendimit të gjykatës”, ka shkruar avokati serb në platformën sociale, X.

Ndryshe ish-drejtori i shkarkuar i BIA-së serbe, Aleksandër Vulin, tha se Sanduloviç është arrestuar nga ky institucion përmes një urdhri të lëshuar nga ai sa ishte në krye të këtij mekanizmi shtetëror.

“Sanduloviçin e kanë ndaluar sipas urdhrit tim, i cili ka mbetur në fuqi edhe pas dorëheqjes sime. Ai u ndalua me dyshimin për cenim të rendit kushtetues dhe duke punuar aktivisht për të mbështetur Kosovën”, ka thënë Vulin mediumin propagandistik serb, Novosti.

Në bazë informacioneve të fundit nga familja dhe bashkëpunëtorët e afërt, politikani opozitar serb është kthyer në gjendje shumë të keqe nga spitali të enjten pasdite, ku ka qenë duke marrë trajtim mjekësor intensiv. Ai dyshohet se është paralizuar, megjithëse ende nuk ka asnjë njoftim zyrtar për rastin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore