Gjykata Speciale

“Prokuroria po akuzon çlirimtarin, jo kriminelët që e vranë qytetarin nga fotografia e publikuar si ‘dëshmi’”


Një nga fotografitë e publikuara si provë, nga Prokuroria e Dhomave të Specializuara të Hagës, ka tërhequr vëmendjen e Kryetarit të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.

Në gjykimin që nisi sot ndaj ish krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, Prokuroria prezantoi një fotografi ku shihet Jakup Krasniqi, si provë e cila mbështeste akuzën se Krasniqi kishte pozitë të caktuar në UÇK-në e organizuar shumë mirë, si kriminele.

Lladrovci ka pikatur një nga personat që në këtë fotografi po qëndronte në krah të Jakup Krasniqit, Fehmi Bajraktarin.

Në llogarinë e tij në instagram, Lladrovci ka treguar se Fehmi Bajraktari nga fshati Kishnarekë është vrarë nga forcat serbe më 3 prill të vitit 1999,

“Paradoksi i kësaj Prokurorie është se po akuzon çlirimtarin e jo kriminelët që e vranë qytetarin duarthatë nga fotografia e publikuar si “dëshmi” ka reaguar Lladrovci.

“Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale ishte regjimi gjenocidal i Serbisë, për gati 100 vjet, jo çlirimtarët!”, ka përfunduar ai shkrimin e tij me mbishkrimin :Drejtësi për çlirimtarët!”.

Këtë të hënë ka filluar procesi gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, të cilët së bashku në Hagë po akuzohen për Ndërmarrje të Përbashkët kriminale

Akuza të rënda janë lexuar për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, nga përfaqësuesja e Prokurorit të Specializuar në fjalën hapëse në seancën e parë të fillimit të gjykimit për katërshen udhëheqëse të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Provat do dëshmojnë se UÇK-ja kishte qëllim të përbashkët kriminal”, fjalët e rënda të prokurorit të specializuar në seancën hapëse.

Prokurori i Specializuar Alex Whiting ka thënë se politikë dhe qëllim i Ushtrisë Clirimtare të Kosovës, ishte shenjëstrimi dhe eliminimi i kundërshtarëve politikë dhe ata që i perceptonin si tradhtarë dhe bashkëpunëtorë.

Në fjalën e Alex Whiting është bërë e qartë se akuzat rëndojnë mbi UÇK-në si strukturë, meqë ka thënë se ishte një politikë e strukturar dhe e përbashkët.

“Provat do të tregojë që katër të akuzuarit mbështeten dhe zbatuan një politikë që vinte në shënjestër ata persona që konsideroheshin si kundërshtarë, shpesh të mbështetur në asgjë. Si dhe personat e perceptuar si jo mbështetës të qëllimeve të UÇK-së.

Ata që konsideroheshin si kundërshtarë ishin anëtarë të LDK-së dhe persona me përkatësi etnike serbe. Kjo politikë synonte burgosjen, keqtrajtimin dhe ndonjëherë vdekjen e kundërshtarëve”.

“Aktakuza përfshinë me qindra burgosje në mbarë Kosovën zakonisht në kushte të tmerrshme. Shumica e viktimave të akuzuarve ishin shqiptarë të Kosovës”, tha prokurori duke shtuar se “për të eliminuar ata që i konsideronin si kundërshtarë të akuzuarit zbatuan një politikë” të caktuar.

“Për vërtetimin e këtyre krimeve do ta paraqiten provat, dokumente të siguruara nga vendndodhje dhe burime të ndryshme, dhe dëshmitarë që do flasin për krime dhe strukturën e UÇK-së. Krimet ishin të shumta, si në gjeografi ashtu edhe në kohë”.

“Lidhur me strukturën e UÇK-së do të nevojitet prishja e një niveli fshehtësie që ishte si gjatë luftës ashtu edhe pas saj”, shtoi prokurori.

“Sjellja kriminale që do ta vërtetojmë është e thjesht. Shtabi i përgjithshëm i UÇK-së përqafoi në komunikimet dhe deklarimet e veta një politikë të shënjestrimit të bashkautorëve dhe atyre që konsideroheshin tradhtarë. Katër të akuzuarit u përfshinë në zbatimin e kësaj politike”.

“Provat do të tregojnë se politika e shpallur u vu në jetë. Që nga fillimi e deri në fund të luftës pati një praktikë targetimi të kundërshtarëve, kjo konfirmonte udhëzimet e shprehura nga lartë nga katër të akuzuarit. Ajo që do të tregojnë provat është se ndërkohë që u ndoq një fshehtësi për funksionimin e UÇK-së, qëllimi kriminal i përbashkët nuk ishte aspak i fshehtë. Mesazhi i përsëritur vazhdimisht se kush pretendoi se ishte tradhtarë përbënte rrezik ekzistencial kundër UÇK-së.

Prokurori vazhdoi me shpalosjen e argumentimeve të tij hapëse.

“Krimet kundër kundërshtarëve vijuan. Përse e bënë këtë? Përse I kryen të akuzuarit këto krime? Provat do të kërkojnë se e bënë për të fituar pushtet. Mund t’i kenë kryer nga frika se kauza e tyre mund të zhbëhej nga kundërshtarët e tyre. Mund t’i kenë kryer edhe nga urrejtja apo hakmarrja, Do të shihni prova nga këta dy faktorë zoti Gjykatës”.

“Kjo çështje gjyqësore ka të bëjë më sundimin e ligjit në kohë lufte. Për këtë jemi këtu sot. Në kohë lufte rreziku mund të bëj që përdorimi i mjeteve të paligjshme për hir të kauzës. Pikërisht për këtë arsye i keni ligjet e luftës për të parandaluar instinktet më të këqija”.

“Në fund dëshiroj ta mbyllë me një pikë për të cilën pajtohemi të gjithë. I takon Prokurorisë për të provuar çdo akuzë. Këtë barrë e pranojmë dhe kemi për ta realizuar në këtë çështje gjyqësore. Por për aq sa të akuzuarit të kenë folur, fjalët e tyre duhet të merren në konsideratë nëse kanë bërë pohim apo mohime të rreme. Hashim Thaçi erdhi disa herë në Hagë për t’iu dhënë prokurorëve një intervistë të zgjatur. Gjatë këtyre intervista ai mohoi shumëçka lidhur me rolin e tij gjatë luftës dhe rolin e Shtabit të Përgjithshëm”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore