Lajme

Prokuroria për vdekjen e 50-vjeçarit: Rasti është cilësuar “hetim mbi vdekjen”


Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Me 2 qershor, një person është gjetur pa shenja jete në një veturë në lagjen “Emshir” në Prishtinë.

Në një përgjigje me shkrim për Albanian Post zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj ka bërë të ditur se ky rast është cilësuar “hetim mbi vdekjen”.

“Ju njoftojmë se prokurorja kujdestare nga Departamenti i Krimeve të Renda i është përgjigjur vendit të ngjarjes bashkë me njësitë e tjera relevante”.

“Ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e një personi. Me urdhër të prokurores trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion, derisa rasti është cilësuar ‘hetim mbi vdekjen’”, ka thënë ajo për Albanian Post.

Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Ulaj, ka shtuar se në koordinim me policinë janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të këtij rasti.

Agron Borovci, zëdhënës i policisë për rajonin e Prishtinës, kishte thënë për Albanian Post se informatën për gjetjen e një trupi të pajetë e kanë marrë rreth orës 12:00, këtë të enjte.

“Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe mjekët emergjent të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, mashkull, rreth 50 vjeç”.

Siç ka treguar Borovci, “në informacionet e para” ka “elemente që sugjerojnë për vetëvrasje”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore