Shqipëria

Prokuroria nis hetimet për kreun e FSHF-së, Armand Duka


Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet ndaj presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.

Nisja e hetimeve nga ana e prokurorisë do të referohet për veprën penale “Shpërdorim detyre”.

Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) dhe Bashkia Tiranë shkëmbyen të dielën e 23 janarit “jo-zyrtarisht” fjalë dhe akuza të rënda mes palëve.

Protagonist kryesor ishte kreu i organit më të lartë të futbollit në vend, Armand Duka.

Ky i fundit, sipas raportimeve në media, do të vendoset në lupën e një hetimi kombëtar dhe ndërkombëtar.

Bashkia Tiranë, në cilësinë e aksionerit kryesor të klubit të futbollit Tirana, e akuzon Dukën “për shkelje dhe korrupsion”.

FSHF-ja do të reagonte pas akuzave në orët e pasdites në faqen e saj zyrtare. Institucioni i futbollit në Shqipëri e konsideroi lajmin si “fletërrufe”.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka

Sipas FSHF-së, në media janë formuluar “akuza delirante të denja për hetuesinë e kohës së diktaturës ku dhe drejtësia vepronte me urdhra politik”.

Burime pranë Bashkisë, konfirmuan se prej dy javësh, kishte përgatitje mbi një lëvizje të tillë.

Një grup juristësh shqiptarë, amerikanë dhe britanikë, kanë asistuar aksionerët e Tiranës, për të përmbledhur një dosje voluminoze të shkeljeve që sipas tyre, Duka ka kryer në 20 vjet.

Zgjedhjet?

Për organin më të lartë të futbollit në vend, kjo “balonë tymuese” lidhet me zgjedhjet për Shoqatën Rajonale të Futbollit Tiranë.

“Ne duam të garantojmë kandidatët, anëtarët tanë, si edhe të gjithë pretendentët për kandidat se ofrojmë dhe garantojmë të gjitha kushtet për një garë të ndershme, të pastër dhe mundësinë për të zgjedhur të lirë nga ndikimi politik dhe kriminal”, vijon reagimi i federatës.

Por, në fakt kjo lëvizje e Bashkisë vjen vetëm pak ditë përpara mbajtjes së zgjedhjeve të radhës për kreun e FSHF-së, ku Duka garon për të gjashtin mandat.

Përballë tij do të jetë komentatori i njohur, Dritan Shakohoxha.

FSHF-ja vëren se ka pasur tentativa të vazhdueshme të dështuara për të intimiduar, shantazhuar dhe kërcënuar anëtarët e federatës.

“Bashkia e Tiranës doli hapur”, sipas federatës, “në përfshirjen e saj në këtë proces zgjedhor që i takon ekskluzivisht vetëm komunitetit të futbollit”.

Përmasa ndërkombëtare

FSHF-ja shtroi pyetjen në reagimin e saj, se nëse gjenden të dhëna apo prova, pse nuk i dërgon Bashkia në organet ligjzbatuese por ndjek teknikën e shantazhit publik?

Madje, organi më i lartë i futbollit, e akuzon Bashkinë se shfaqet si “Kryeministër, Prokuror i Përgjithshëm, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë, shef i Shërbimit Informativ Kombëtar, President i UEFA-s apo FIFA-s”.

Ndërkaq, nga ana e instancës së qeverisjes vendore zbulohet se një sërë instancash shqiptare e të huaja, do të prezantohen me çështjen.

Ndër to, Prokuroria e Posaçme SPAK, ajo e Tiranës, Krimi Ekonomik, Agjencia e Pastrimit të Parave, Hetimi Tatimor, FBI, DEA apo edhe dy ambasadat e SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe në Shqipëri.

Një kërkesë do të ketë ndaj dy ambasadave, edhe për revokim të vizave ndaj familjes Duka, mbi bazën e minimit të futbollit shqiptar.

Një retorikë e tillë është nisur disa ditë më parë nga kryeministri Edi Rama, i cili bëri të qartë se gjërat në strukturat drejtuese të futbollit shqiptar duhet të ndryshojnë, pasi ato nuk po promovojnë më vlera.

Më pas, vetë kreu i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, ishte ai i cili nisi një gjuhë armiqësore ndaj Dukës, me akuza ndaj tij mbi atë çfarë ka ndodhur në sferën futbollistike shqiptare në 20 vjet.

Hetimi

Në dosje do të jenë të përfshira çështje si shitjet e ndeshjeve ndërkombëtare apo bastet e paracaktuara. Kryesisht me këtë çështje, pritet të merret FBI-ja.

Ndërsa, mbi pretendime për përfshirjen e parave të drogës me aprovimin e Dukës në futbollin shqiptar, pritet të merret DEA amerikane.

Dosja britanike, mund të merret kryesisht me shpenzime të pajustifikuara të familjes Duka.

Kryesisht, në blerje pronash, makinash luksoze e asetesh. I përfshirë do të jetë edhe komisariati i Scotland Yard.

Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj

Vepra të tjera të pretenduara për pastrim të parave me anë të kompanive të ndryshme, do t’i kalojnë në shqyrtim Prokurorisë së Tiranës dhe SPAK.

Burime të Bashkisë Tiranë, pohuan po ashtu përfshirje të konsulentëve të huaj të mediave, për të ndërkombëtarizuar shkeljet e Dukës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore