Lajme

Prokuroria e Shtetit reagon ndaj Sveçlës, kërkon të shohë çdokush punët sipas kompetencave


Prokuroria e Shtetit dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Prokuroria e Shtetit në Kosovë i ka reaguar ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili lavdëroi aksionin e të martës në disa qendra, ku u arrestuan 10 zyrtarë, përfshirë edhe ish-kryetarin e Shtërpcës, Bratislav Nikoliç.

Prokuroria e ka ftuar Sveçlën që çdokush të shohë punët e veta, sipas kompetencave që kanë pa ju jepur ngjyrim politik ngjarjeve të tilla.

“Prokurori i Shtetit reagon ndaj deklaratës së Ministrit të Punëve të Brendshme, i cili ashtu si edhe aksioneve të tjera të prokurorisë edhe rastin e ditës së sotme të zhvilluar me urdhër të Prokurorisë Themelore në Ferizaj në komunën e Shtërpcës dhe më gjerë, mundohet që t’iu jap karakter politik”, thuhet në reagimin e Prokurorisë së Shtetit.

Ndërkaq, ka bërë të ditur se kjo nuk është punë e MPB-së.

Prokuroria e Shtetit.

“Hetimi dhe ndjekja e rasteve penale nuk është punë e Ministrisë së Punëve të Brendshme e as e sektorëve tjerë qeveritar, por është kompetencë ekskluzive e Prokurorit të Shtetit”.

Po ashtu, hetimet dhe rastet penale sipas prokurorisë nuk kanë konotacion politik dhe nuk duhet të komentohen nga organet politike.

“Në këtë kontekst, secili institucion duhet të sillet konform përgjegjësive ligjore dhe kushtetuese, pa u përzier në punët dhe kompetencat respektive. Aksioni i ditës së sotme është punë dhe angazhim disavjeçar i Prokurorisë i mbështetur nga organet tjera ligjzbatuese”.

Duke shtuar se, “për më tepër është në vazhdën e përpjekjeve të Prokurorit të Shtetit për forcimin e sundimin e ligjit në Republikën e Kosovës dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre individëve që kryejnë vepra penale pavarësisht pozitës, funksionit apo etnisë që ata kanë”.

Sveçla në postimin e tij në Facebook lavdëroi Policinë në këtë aksion të koduar “Brezovica”.

Ai në postimin e tij u shpreh se aksioni nuk ka të bëjë me asnjë emër të përveçëm e as me etni të caktuara.

“Ky aksion nuk ka pasur cak persona të përveçëm apo të etnive të caktuara. Ky aksion, si çdo aksion tjetër i Policisë së Kosovës, ka pasur cak shkelësit e ligjit që në mënyrë të vazhdueshme, përmes formave të ndryshme kanë shkatërruar pasurinë publike për përfitime personale apo klanore”.

Ai është zotuar se Ministria e Punëve të Brendshme nën menaxhimin e tij së bashku me Policinë e Kosovës do të vazhdojnë të jenë të përkushtuar për ofrim të sigurisë, rendit dhe ligjit për qytetarë e Kosovës, kurse për shkelësit e ligjit Sfeçla ka thënë se “do të luftohen pa asnjë dallim, pa asnjë përjashtim, në gjithë Republikën e Kosovës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore