Lajme

Prokurori Shqipdon Fazliu ankohet në Kushtetuese për procedurën e përzgjedhjes së Kryeprokurorit


Ilustrim

Njëri ndër kandidatët për Kryeprokuror të Shtetit, Shqipdon Fazliu, këtë të enjte të 28 prillit ka paraqitur ankesë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës së zgjedhjes për postin e Kryeprokurorit të Shtetit.

Fazliu, pretendon se Këshilli Prokurorial i Kosovës, gjatë procesit të zgjedhjes së kryeprokurorit, ka shkelur të drejtat e parashtruesit të kërkesës të garantuar me Kushtetutë, përkatësisht të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm.

Lajmin për paraqitjen e ankesës e ka njoftuar avokati i tij, Flakron Sylejmani, përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook.

“Përmes kërkesës kemi kontestuar procedurën e zgjedhjes për postin e Kryeprokurorit të Shtetit përkatësisht vendimet e takimit e 212-të Këshillit Prokurorial të Kosovës të datës 06.04.2022”, ka shkruar avokati Sylejmani.

Në garë për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit ishin: Armend Hamiti, Blerim Isufaj, Kujtim Munishi, Lulzim Sulejmani dhe Shqipdon Fazliu.

Kujtojmë se KPK-ja kishte votuar në mënyrë unanime Blerim Isufajn për Kryeprokuror të ri të Shtetit.

Ky vendim i KPK-së u kundërshtua nga ambasadorët e huaj dhe organizatat vendore, të cilët theksonin se janë shpërfillur parimet për një proces të drejtë dhe meritor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore