Lajme

Prokurori i Përgjithshëm i Libanit akuzohet për shpërthimin në Bejrut


Gjyqtari libanez që po heton shpërthimin e portit të Bejrutit ka akuzuar Prokurorin e Përgjithshëm, Ghassan Oueidat, dhe tre gjyqtarë.

Gjykatësi Tarek Bitar vendosi të hënën të rifillojë hetimin e tij për mega-shpërthimin vdekjeprurës të gushtit 2020, pavarësisht presionit të fortë politik që kishte çuar në një pezullim të punës së tij për më shumë se një vit.

Të martën, ai akuzoi tetë figura të tjera, duke përfshirë prokurorin e lartë të Libanit Oueidat dhe tre gjyqtarët, për “vrasje, zjarrvënie dhe sabotim”.

Kështu raporton agjencia e lajmeve “AFP”, e cila citoi një zyrtar gjyqësor që foli në kushte anonimiteti.

Një nga shpërthimet më të mëdha jo-bërthamore në histori shkatërroi pjesën më të madhe të portit të Bejrutit dhe zonave përreth më 4 gusht 2020, duke vrarë më shumë se 215 njerëz dhe duke plagosur mbi 6,500.

Shpërthimi u shkaktua nga një zjarr në një magazinë ku një rezervë e madhe e kimikateve industriale të nitratit të amonit ishte ruajtur në mënyrë të rastësishme për vite me radhë, thanë autoritetet.

Ngjarja

Më 4 gusht, në Portin e Bejrutit shpërtheu një zjarr në një depo me lëndë shpërthyese. Fill pas saj ndodhi një shpërthim shumë i fuqishëm, që tronditi tërë qytetin.

Shpërthimet shkaktuan një tërmet të shkallës 3,5 Rihter dhe shkatërruan ndërtesa që ndodheshin kilometra larg tij.

Rreth 6 mijë persona u plagosën dhe 300 mijë kanë mbetur të pastrehë.

Dhjetëra familje të viktimave të shpërthimit të portit të Bejrutit, më 25 nëntor, organizuan një protestë pranë Parlamentit, për shkak të vonesës së hetimeve mbi shkakun e shpërthimit.

Protestuesit mbanin fotografi të të afërmve të tyre që humbën jetën në shpërthim dhe parulla që dënonin vonesën e hetimeve.

Familjet pohuan se besojnë në gjyqësorin libanez për t’u dhënë drejtësi atyre me një vendim të drejtë dhe transparent.

Megjithatë, ata paralajmëruan se do të kërkojnë drejtësi në gjykatat ndërkombëtare nëse nuk trajtohen në mënyrë të duhur.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore