Kosova

Prokurori i Milanos kërkon gjykim të menjëhershëm për kosovaren e njohur si “Luanesha e ISIS-it”


Trupi gjykues kundër terrorizmit në Prokurorinë Publike të Milanos, drejtuar nga Alberto Nobili, ka kërkuar gjykim të menjëhershëm për 19-vjeçaren Bleona Tafallari.

Kjo e fundit është lindur në Kosovë, por me banim në Milano.

Ndryshe ajo njihet si “Luanesha e ISIS-it” dhe është arrestuar 17 nëntorin e kaluar në rajonin e Lombardisë për terrorizëm ndërkombëtar, pas një hetimi të koordinuar nga prokurori Leonardo Lesti.

Referuar urdhrit të gjyqtarit hetues Carlo Ottone De Marchi, ajo kishte përqafuar radikalizmin xhihadist, pa fshehur ambicie për të shkuar dhe për të luftuar në zonat e luftës kundër “armikut perëndimor”.

Si një mbështetëse e përkushtuar e ISIS-it për të paktën tre vjet, Tafallari së bashku me bashkëshortin që ndodhej në Gjermani, bënte pjesë në një grupim të sajin të quajtur “Luanët e Ballkanit”.

Në janar të vitit të kaluar, ajo u martua me muxhahedin kosovar 21-vjeçar dhe kishte lidhje me autorin e sulmit në Vjenë, Kujtim Fejzula.

Në telefonin që i përkiste 19-vjeçares u gjetën mbi 7 mijë regjistrime, video dhe imazhe, disa nga agjencia e komunikimit të Shtetit Islamik “Al Hayat Media Center”, si dhe mbi dy mijë biseda që nuk linin dyshim, sipas aktakuzës, për anëtarësimin e saj në ISIS.

E reja, përpara gjyqtarit dhe më vonë para prokurorëve, kaherë është mbrojtur duke sqaruar se nuk kishte bërë asnjëherë propagandë, se nuk e kishte menduar asnjëherë “të bëhej martire, as të shkonte për të luftuar”.

Pas aprovimit të mundshëm të gjyqtarit hetues në seancën paraprake, pala mbrojtëse mund të kërkojë, gjithmonë nëse dëshiron, gjykim të shkurtuar me dyer të mbyllura dhe me zbritje të dënimit nga të tretët.

Marrë nga “Il Giorno”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore