Lajme

Prokurorët gjermanë kërkojnë pesë vjet burg për ish-rojën nazist 101-vjeçar


Në Gjermani, prokurorët kanë rekomanduar një dënim me pesë vjet burg për një ish-roje të kampit nazist, 101-vjeçar.

Ai është personi më i vjetër i akuzuar për bashkëpunim në krimet e luftës gjatë Holokaustit.

Josef Schütz është deklaruar i pafajshëm, duke kundërshtuar përfshirjen në vrasjen e 3 mijë e 518 të burgosurve në kampin Sachsenhausen në Oranienburg, në veri të Berlinit, midis viteve 1942 dhe 1945.

Por, prokurorët në Brandenburg kanë pohuar se ai “me vetëdije dhe dëshirë” ka marrë pjesë në krime si roje në kamp.

Mbi 200 mijë njerëz u ndaluan në kampin Sachsenhausen midis viteve 1936 dhe 1945.

Dhjetëra mijëra ndërruan jetë nga puna e detyruar, vrasjet, eksperimentet mjekësore, uria ose sëmundjet përpara se kampi të çlirohej nga trupat sovjetike.

Schütz, i pyetur për punën e tij në kamp, ka mohuar se kishte njohuri për atë që ndodhi atje dhe ka këmbëngulur se nuk kishte bërë “absolutisht asgjë”.

Ama akuzat kundër tij përfshijnë ndihmën dhe nxitjen e “ekzekutimit me pushkatim të të burgosurve sovjetikë të luftës në vitin 1942” dhe vrasjen e të burgosurve “duke përdorur gazin helmues Zyklon B”.

Gjatë gjyqit, ai ka mbetur i lirë, por nëse dënohet ka pak gjasa që të vendoset pas hekurave, duke pasur parasysh moshën e tij.

Më shumë se shtatë dekada pas Luftës së Dytë Botërore, prokurorët gjermanë po përpiqen për të sjellë para drejtësisë autorët e fundit nazistë të mbijetuar.

Dënimi i vitit 2011 i ish-gardianit John Demjanjuk mbi bazën se ai shërbeu si pjesë e makinës vrasëse të Hitler-it, krijoi precedent ligjor dhe hapi rrugën për disa nga rastet.

Gjykatat, prej asokohe, kanë dhënë disa vendime fajësie mbi ato baza dhe jo për vrasje apo mizori të lidhura drejtpërdrejt me individin e akuzuar.

Një prej tyre është Oskar Gröning, llogaritar në Aushvic dhe Reinhold Hanning, një ish-roje në Aushvic.

Të dy u dënuan në moshën 94-vjeçare për bashkëpunim në vrasje masive, por ndërruan jetë para se të burgoseshin.

Një tjetër ish-roje, Bruno Dey, u shpall fajtor në moshën 93-vjeçare në vitin 2020 dhe u dënua me dy vjet.

Kurse një ish-sekretare 96-vjeçare në një kamp vdekjeje nazist, po gjykohet për bashkëpunim në vrasje. Ajo u largua para fillimit të gjyqit të saj, por u kap disa orë më vonë.

Sakaq, gjyqi i Schütz ka nisur në vitin 2021. Por disa seanca janë dashur të shtyhen për shkak të shëndetit të tij.

Ndërsa vendimi pritet në fillim të qershorit.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore