Lajme

Projektligji për shëndetin riprodhues dështon të votohet për herë të pestë


Kuvendi i Kosovës. Foto nga arkivi.

Për herë të pestë në Kuvendin e Kosovës, ka dështuar të votohet Projektligji për shëndetin riprodhues (IVF), kjo për shkak të mungesës së deputetëve në seancë të enjten.

Në seancë ishin të pranishëm 61 deputetë por votimi u braktis nga dy deputetë të partisë në pushtet – Lëvizjes Vetëvendosje.

Në seancën e 22 shkurtit, votimi kishte ngecur tek amendamenti i katërt, për të cilin deputeti i VV-së, Visar Korenica kishte kërkuar të bëheshin ndryshime.

Kërkesë e tij ishte që të largoheshin tre paragrafë të cilët parashihnin se e drejta për riprodhim u takon edhe individëve, përveç çifteve të martuara.

Ai kishte sqaruar se kur përmend individë e kishte fjalën për “gratë e pamartuara” dhe “partnerët e gjinisë së njëjtë”.

Projektligji për shëndetin riprodhues (IVF), ishte miratuar në tetor të vitit 2023, me 63 vota për, një kundër dhe katër abstentime.

Legjislacioni ua mundësonte edhe grave të pamartuara të lindnin fëmijë përmes metodës së fertilizimit të asistuar.

Por, ky ligj ishte kundërshtuar ashpër nga një pjesë e deputetëve.

Në Klinikën e Gjinekologjisë, në kuadër të së cilës do të jetë reparti i IVF-së, po presin pajisjet për këtë metodë mjekësore, punimet në infrastrukturë për repartin e ri është thënë se veçse janë kryer.

IVF-ja është një metodë fertiliteti, së cilës i nënshtrohen personat që nuk mund të lindin fëmijë në mënyrë natyrale, por që as kjo metodë s’konsiderohet se është e suksesshme 100%.

Ministria e Shëndetësisë, ka ndarë 1.5 milionë euro për pajisjet e nevojshme për këtë repart.

Në tetor, kur edhe u votua projektligji ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, kishte thënë se kjo rrugë hap mundësinë që ky shërbim të ofrohet në institucionet publike të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore