Shqipëria

Projektligji për mbrojtjen e konkurrencës, marrëveshjet në prokurime të ndaluara


Autoriteti i Konkurrencës ka hedhur për konsultim një projektligj që propozon disa ndryshime në ligjin “Për mbrojtjen e konkurrencës”.

Në përmbajtjen e ligjit – referuar ndryshimeve të propozuara – do të shtohet koncepti i praktikës së bashkërenduar.

Ndryshe ai përkufizohet si koordinimi ndërmjet ndërmarrjeve, të cilat, pa arritur në fazën e lidhjes së një marrëveshjeje formale, bashkëpunojnë me vetëdije në praktikë duke kufizuar, deformuar ose shtrembëruar konkurrencën në treg.

Projektligji shton po ashtu përkufizimin e marrëveshjes në oferta, ku ndërmarrjet gjatë procedurave të prokurimit publik, nuk konkurrojnë midis tyre, por bien dakord fshehurazi për të caktuar çmimet ose për të ulur cilësinë e mallrave, punëve ose shërbimeve për blerësit që dëshirojnë të prokurojnë produkte, shërbime ose punë nëpërmjet një procedure prokurimi apo kur bien dakord të koordinojnë ofertat e tyre në prokurimet publike.

Ndërkohë format e marrëveshjes në oferta mund të jenë ofertat e mbuluara, kur konkurrentët pranojnë të paraqesin ofertë më të lartë sesa oferta e fituesit të përcaktuar, kur njëri nga konkurrentët pranon të ofertojë me një shumë që është shumë e madhe për t’u pranuar si ofertë, si edhe kur njëri nga konkurrentët paraqet një ofertë që përmban terma specifike të papranueshme nga Autoriteti Kontraktor.

Nga ana tjetër, janë ofertat e përmbajtura, në rastet kur konkurrentët bien dakord që të mos ofertojnë apo të tërhiqen nga një ofertë e paraqitur në mënyrë që oferta e përcaktuar fituese në marrëveshje të pranohet si e tillë.

Gjithashtu ofertat në rotacion, kur konkurrentët merren vesh të ofertojnë, duke rënë dakord paraprakisht që fituesi të jetë njëri prej tyre sipas një radhë të caktuar.

Është edhe ndarja e tregut, kur konkurrentët ndajnë në pjesë tregun dhe bien dakord që të mos konkurrojnë për një pjesë të caktuar konsumatorësh, ose një pjesë të caktuar gjeografike.

Sakaq, në projektligj shtohet edhe kategoria e marrëveshjeve në oferta në procedurat e prokurimit si marrëveshje të ndaluara.

Projektligji parashikon po ashtu zgjatjen e afatit që subjektet kanë për të ankimuar në gjykatë vendimet e Autoritetit të Konkurrencës, nga 30 në 45 ditë.

Në ndryshim nga ligji aktual, projektligji përcakton se subjektet nuk do të kenë të drejtë për të ankimuar në gjykatë vendimet e Komisionit të Konkurrencës për hapjen e hetimit paraprak.

Ndërkaq propozohen edhe disa ndryshime në dispozitat që rregullojnë zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit të Konkurrencës.

Anëtarët e Komisionit do të vazhdojnë të zgjidhen nga Kuvendi sipas formulës aktuale, por sipas projektligjit mandati i anëtarëve do të zgjatet në pesë vjet.

Referuar ligjit aktual, Kryetari i Komisionit të Konkurrencës ka një mandat 5-vjeçar, zëvendëskryetari mandat 4-vjeçar, ndërsa tre anëtarët e tjerë kanë mandat 3-vjeçar.

Projektligji parashikon gjithashtu se Kryetari i Komisionit të Konkurrencës duhet të zgjidhet nga Kuvendi mes anëtarëve me profesionin jurist, ndërsa në ligjin aktual nuk ekziston një detyrim i tillë.

Propozohet gjithashtu që anëtarët e Komisionit të Konkurrencës mund të rizgjidhen vetëm njëherë, ndërsa ligji aktual e kufizon të drejtën e rizgjedhjes për dy mandate radhazi.

Ka edhe një ndryshim të rëndësishëm në pavarësinë financiare të Autoritetit të Konkurrencës. Me ligjin aktual, të gjitha të ardhurat e siguruara nga ky institucion duhet të derdhen në Buxhetin e Shtetit.

Kurse në projektligjin e propozuar, në buxhetin e shtetit do të vazhdojnë të derdhen vetëm të ardhurat nga gjobat.

Kështu, të ardhurat që krijohen nga procedurat e kontrollit të përqendrimeve, tarifat administrative për kontrollin e përqendrimeve dhe autorizimet e përqendrimeve, do të mbahen në llogarinë e Autoritetit të Konkurrencës dhe do të përdoren për qëllime investimi dhe shpenzime operative, të cilat kontribuojnë në përmbushjen e misionit të institucionit, sipas rregullave dhe procedurave të përcaktuara me udhëzim të përbashkët të Ministrit të Financave dhe Kryetarit të Autoritetit të Konkurrencës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore