Kosova

Profesionistët në politikë, siguresa e Demokracisë – një intervistë jo e zakonshme me Doarsa Kica-Xhelilin


Doarsa Kica-Xhelili

Shkollari gjerman Jürgen Habermas, i fundit i Shkollës së famshme të Frankurtit (Frankfurter Schule), në teorinë e tij për demokracinë, shpjegonte se kushti që një vendim demokratik të jetë legjitim është  diskutimi autentik që i paraprinë.

Legjitimitetin nuk e jep veç vota, thotë ai, “por argumentimi i spikatur dhe justifikimi politik”.

Kjo lloj demokracie, kur një anë fiton jo pse thjesht ka shumicën, porse ka argumentin, është pagëzuar si demokraci deliberative.

Po ta dëgjonte Habermasi një debat në Kuvendin e Kosovës në mes të ministres që ka shumicën, Albulena Haxhiu dhe deputetes nga pakica opozitare Doarsa Kica-Xhelili, rreth një nisme anakronike që ministrja e pati sjellur të paketuar në formë projektligji, 93 vjeçari këtë sekuencë do ta shndërronte në një nga shembujt më të pastër për ta provuar teorinë e tij.

Dallimi kualitativ mes të dyjave konsistonte në faktin se Kica-Xhelili është një profesioniste e drejtësisë që vjen në politikë nga fusha e avokatisë, në anën tjetër Haxhiu një aktiviste e kamotshme që gjithë jetën e saj të rritur ka ushtruar vetëm funksione politike.

Politikologu, Albert Dzur, profesionistët e fushave të angazhuar në politikë i quante “profesionistë demokratë”. Termi u njoh si emërtim për teorinë që shpjegonte se vendimet janë edhe më te mira edhe më demokratike kur në politikë angazhohen sa më shumë profesionistë.

Ata janë profesionistë demokratë jo sepse e bëjnë “demokracinë vërtet profesionalisht”, por sepse bëjnë “profesionalizëm në mënyrë vërtet demokratike”, thoshte Dzur.

Kica-Xhelili është një nga këto profesioniste që politikën e sheh në këtë lloj forme, si një “platformë” dhe jo si një “profesion”.

Në ballë është “koncepti i sakrificës për shërbimin publik”, thotë ajo në këtë intervistë për Albanian Post.

Kica-Xhelili u sfidua elektoralisht për herë të parë në Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës të vitit 2021 si pjesë e Listës Guxo brenda Lëvizjes Vetëvendosje, për të kaluar më pas në grupin parlamentar tek Lidhja Demokratike e Kosovës, por kaq kohë i ka mjaftuar për ta kuptuar se atë që ajo e kishte menduar vetëm si “platformë”, shumë veta e kanë “profesion”.

Prandaj, thotë se “politika është sfiduese, konsumuese” e në raport me fushën e drejtësisë “më pak e këndshme” dhe po ashtu “absolutisht mjegulluese”.

Këto janë disa nga arsyet, deklaron ajo për Albanian Post, “pse mëtoj të mbes gjithmonë në argumentime faktike e jo aq në argumente subjektive”.

“Nganjëherë qasja direkte që kam merret si dobësi politike, por të them të drejtën, deri tani më ka shërbyer mirë, sepse arma ime më e fortë ka qenë pikërisht racionaliteti dhe e vërteta”, pohon.

Preokupimi i saj kryesor në politikë sot është përmirësimi i sistemit të drejtësisë – sistem që ia pa krisjet sa punonte si avokate.

Vetting-un në këtë sektor e kishte angazhim qendror qysh nga fillimi, por tani thotë se “nëse është një proces për të cilin nuk ka mbetur asgjë lidhur me të cilën duhet të mburremi, është ky”.

Pse?

“Sepse reformat në sistemin e drejtësisë që i shërbejnë fuqizimit të pavarësisë, paanshmërisë dhe profesionalizmit janë obligim i politikës. Së dyti, sepse me komentet e Venecias dhe pasigurinë për votat e 2/3, nuk po flasim për Vettingun e menduar në shkurt të vitit 2021”, sqaron deputetja.

Doarsa Kica-Xhelili në këtë intervistë për Albanian Post ka bërë një ekzaminim të detajshëm të sistemit të drejtësisë në Kosovë dhe ka sqaruar pse gjendja është kaq e rëndë, në terme fare të kuptueshme dhe pa komplikime të gjuhës juridike.

Ajo ka folur edhe për procesin e Vetting-ut, litarin për të cilin mbahet fort qeveria aktuale dhe ka sqaruar përse procesi ka degraduar pothuajse krejtësisht.

Kica-Xhelili ka treguar edhe të përbashkëtat, por edhe prerjet që ndajnë politikën nga profesioni i saj i kaluar si avokate.

Ka folur për planet personale në politikë dhe synimet e partisë që tani i takon.

Intervista e plotë e Doarsa Kica-Xhelili për Albanian Post:

Albanian Post: Përse është situata me sistemin e drejtësisë kaq e rëndë në Kosovë? A është vetëm dështim i politikës, apo edhe jo profesionalizëm nga juristët dhe në përgjithësi një kulturë e përgjithshme shoqërore që bie ndesh me parime juridike perëndimore?

Doarsa Kica-Xhelili: Është vështirë të thuhet me saktësi cili është elementi kryesor që ka shkaktuar degradimin ndër vite të sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Pa dashur të përcaktoj hierarki të shkaqeve, do të filloja së pari nga ndikimet dhe ndërhyrjet politike dhe të interesave tjera të ngushta në drejtësi.

Pastaj, mungesa e proceseve të mirëfillta diciplinore, mungesa e suspendimeve, largimeve dhe përgjithësisht mungesa e kërkimit të përgjegjësisë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës në rastet e shkeljeve dhe lëshimeve ka amnistuar edhe shkeljet më të rënda diciplinore dhe ka legjitimuar mungesën e performancës. Njëlloj, rol ka luajtur mënyra e emërimit, avancimit dhe përgjithësisht zgjatjes së mandateve të gjyqtarëve dhe prokurorëve pa analizuar hollësisht dhe përmbajtësisht performancën e tyre.

Fatkeqësia tjetër është që edhe korniza ligjore ndonjëherë ka lejuar amnistimin e ndërhyrjeve, me apo pa qëllim. Deri vonë kur u bë edhe ndryshimi shumë i domosdoshëm në Kodin e Procedurës Penale, prokurorët nuk detyroheshin as ta justifikonin arsyen e mbylljes së hetimeve.

Vlerësimet sistematike të performancës së gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk po shërbejnë për të identifikuar problemet sa për të evidentuar përmbylljen e procesit të vlerësimit. Shumë shpesh ato adresojnë më shumë aspektin sasior se sa cilësor, dhe rrallë (për të mos thënë aspak) nuk kanë shërbyer për të ndërmarrë veprime diciplinore karshi gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Përqindja e aktgjykimeve liruese për shkak të kualifikimeve të gabuara të veprave penale është e papranueshme, sikurse është përqindja e lëndëve që hudhen poshtë sepse aktakuzat nuk i përmbajnë të gjitha elementet. Të gjitha këto kanë qenë të evidentueshme lehtësisht por asnjëherë nuk kanë rezultuar me suspendime e përjashtime.

Ndërkohë, absolutisht luan rol edhe elementi socio-kulturor. Një shoqëri që normalizon papërgjegjësinë dhe kryesisht mos-kërkimin e përgjegjësisë në rastet e performancës së dobët dhe gabimeve të tilla prodhon edhe apati profesionale dhe jo vetëm.

Sidoqoftë, jo gjithmonë i gjithë faji është te gjyqtarët dhe prokurorët. Ne duhet ta kemi parasysh edhe natyrën e lëndëve me të cilën ata ballafaqohen. Një shtet i së drejtës nuk kërkon vetëm zbatim të kornizës ligjore dhe forcim të sundimit të ligjit në kuptimin formal, por krijon edhe kushtet optimale për siguri të akterëve në sistemin e drejtësisë. Përveç që ne nuk mund të flasim për siguri të gjyqtarëve dhe prokurorëve sepse mundësitë e intimidimit dhe kërcënimit i kanë gati të përditshme, ne nuk mund të flasim shpesh as për kushte optimale (p.sh. bashkëpunëtor profesional; sistem i digjitalizuar) të tyre për kryerje të punëve.

Albanian Post: Një nga premtimet kryesore të Qeverisë aktuale ka qenë Vettingu, gjithashtu një nga mburrjet e qeverisë është se ky proces po përgatitet dhe është gati të fillojë. A mund të na tregoni në terme të kuptueshëm se çfarë po ndodhë me Vetting-un konkretisht dhe a ka arsye qeveria që të mburret me procesin deri këtu?

Doarsa Kica-Xhelili: Vettingu është domosdoshmëri e imponuar për shkak të problemeve të shumta në sistemin e drejtësisë. Sidoqoftë, kam përshtypjen që masa nuk e ka aq të qartë se çka nënkuptojmë kur përmendim Vettingun sepse është përmendur shumë e nuk është sqaruar mjaftueshëm. Shpesh kam dëgjuar që mendojnë që disi Vettingu dhe Byroja janë gjëja e njëjtë. Por, po mundohem që sadopak ta thjeshtësoj dhe sqaroj se çka ka qenë ideja dhe ku jemi tash me procesin.

Ideja fillestare e Vettingut ka qenë që për shkak të mungesës së besimit në Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës, të bëhet një vlerësim gjithpërfshirës i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve në Kosovë, përmes një mekanizmi të jashtëm – pra, jashtë KGJK-së dhe KPK-së. Vlerësimi synohej të bëhej në tre segmente: vlerësim profesional, integritet, dhe justifikim të pasurisë. Krijimi i këtij mekanizmi të jashtëm, kërkon ndryshime kushtetuese, përkatësisht edhe votën e shumicës së kualifikuar në Kuvend.

Komisioni i Venecias ndërkohë ka dhënë opinionin që Vettingu të mos jetë gjithpërfshirës, por të vlerësohen vetëm krerët e KGJK-së dhe KPK-së, si dhe kryetarët e gjykatave dhe kryeprokurori. Gjithashtu, ka kërkuar që ky vlerësim të mos bëhet në performancë, por vetëm në integritet dhe justifikim të pasurisë. Pra, tanimë kemi një Vetting gjysmak që është radikalisht më pak se çka është synuar të bëhet.

Në anën tjetër, nuk kemi ndonjë garanci nga qeveria që po punon në drejtim të sigurimit të votave të domosdoshme, sepse në këtë dimenzion, si LDK nuk mund të bëjmë më shumë se sa të japim mbështetjen e 16 deputetëve të grupit tonë parlamentar. Rrjedhimisht, në qoftë se votat nuk sigurohen, do të mbesim me alternativën e vetingut që shkon përmes KGJK-së dhe KPK-së.

Nëse është një proces për të cilin nuk ka mbetur asgjë lidhur me të cilën duhet të mburremi, është ky. Së pari, sepse reformat në sistemin e drejtësisë që i shërbejnë fuqizimit të pavarësisë, paanshmërisë dhe profesionalizmit janë obligim i politikës. Së dyti, sepse me komentet e Venecias dhe pasigurinë për votat e 2/3, nuk po flasim për Vettingun e menduar në shkurt të vitit 2021. Kjo nuk nënkupton megjithatë se ne nuk duhet ta japim maksimumin që ajo që ka mbetur nga ky proces të përmbyllet. Për aq sa kemi hapësirë ligjore dhe kapacitete politike, këto ndryshime duhet t’i mbështesim me shpresën që të krijojmë siguresa të mëtutjeshme ligjore për vlerësime sistematike që ngrisin cilësinë e këtij sistemi.

Albanian Post: Parimisht, a besoni se do ta përmirësojë sistemin e drejtësisë në përgjithësi Vetting-u?

Doarsa Kica-Xhelili: Vettingu që e kemi synuar në fillim, do të shkaktonte ndryshime thelbësore në përmirësimin e sistemit të drejtësisë. Jam pak më skeptike për efektin që mund ta ketë pas të gjithë kufizimeve që po bëhen, por cilatdo e sado qofshin ato ndryshime, absolutisht se do ti shërbejnë përmirësimit të sistemit të drejtësisë. Ajo që dallon është sasia dhe qëndrueshmëria e përmirësimit sepse ne Vetting si proces kemi pasur edhe më parë.

Albanian Post: Ligji si llastiku nuk është (siç ka pas thënë dikush njëherë në Kosovë), por as krejtësisht i ngrirë jo. Megjithatë, politika është më shumë se gjithçka tjetër bindja e tjetrit se e vërteta e tij është mbi të vërtetën e tuaj. Bëhet luftë për fitore të perspektivave. Kalimi nga fusha e drejtësisë në politikë a ishte traumatik, apo një kalim i natyrshëm në një fushë tjetër të luftës me argumente?

Doarsa Kica-Xhelili: Politika është më sfiduese, më konsumuese, më pak e këndshme, dhe absolutisht mjegulluese pikërisht për shkak të manovrave të argumenteve. Është gjithashtu një nga arsyet pse mëtoj të mbes gjithmonë në argumentime faktike e jo aq në argumente subjektive. Si natyrë jam e adaptueshme në punë, por mund të them që kam vështirësi të mëdha në adaptim të mendësisë politike. Nganjëherë qasja direkte që kam merret si dobësi politike, por të them të drejtën, deri tani më ka shërbyer mirë sepse arma ime më e fortë ka qenë pikërisht racionaliteti dhe e vërteta.

Ajo që është traumatike, është ndoshta pamundësia që ta transmetosh të vërtetën tënde në masën dhe sasinë që do, pavarësisht sa mundohesh. Narrativa disi krijohet nga tjetërkush, nga masa. Populizmi dhe hipokrizia bën manovra të pafalshme ku shpesh figurat publike pa të drejtë pësojnë gjykim publik në mungesë të të vërtetës së plotë. Edhe më traumatike shpesh është mënyra se si te masa, figurat publike reduktohet në qenie lehtësisht të sulmueshme, dhe injorohet plotësisht elementi njerëzor. Unë mundohem shumë që rastet si këto ti tejkaloj me një qetësi shpirtërore të ndjesisë që po bëj atë që duhet, por nuk mund të them që me lehtësi të njëjtë kjo tejkalohet nga familja ime. E rëndësishmë është që ata besojnë në mua, shumë.

Albanian Post: Për shkak të ekspertizës suaj në drejtësi, artikulimit, qasjes dhe angazhimit tuaj, jo pak veta e kanë parashikuar se rrugëtimi juaj politik mund të jetë i gjatë. Cilat janë ambiciet tuaja personale? A është politika edhe profesioni i së ardhmes tuaj dhe a synoni pozita ekzekutive në të ardhmen?

Doarsa Kica-Xhelili: Mendoj që ambicia njerëzore duhet të jetë në përputhje me atë që dikush mund të ofroj.

Ata që më njohin, e kanë të qartë sa shumë më është dashur të lë anash profesionalisht për përfshirje në politikë. Përfshirja ime në politikë nga fillimi nuk ka pasur të bëj me mua, sa me atë që unë mendoj që mund të jap. Rrugës kam kuptuar që shumë pak e besojnë konceptin e sakrificës për shërbimin publik. Disa të tjerë kam kuptuar që pavarësisht që rrugën e kanë nisur me sakrificë të tillë, më pas e kanë tjetërsuar qëllimin – që ndoshta edhe ka rezultuar me arsyen pse qytetarët nuk janë të prirur më ta besojnë këtë formë të mendimit e funksionimit.

Se si e sa mund të jap a jo për politikë dhe proceset që kemi filluar, e vlerëson në fund tjetërkush, por se po mundohem maksimalisht që çdo gjë që e them e bëj t’i shërbej zhvillimit të mirëfilltë të proceseve ku mund të kem ndikim, këtë ua garantoj.

Meqenëse rrugëtimin tim politik e shoh më shumë të lidhur me procese të zhvillimit e përmirësimit të gjendjes se sa në kuptim kohor, e kam vështirë të flas tash për atë se sa gjatë mund të rri në politikë. Sidoqoftë, mendoj që janë dy elemente që do të jenë determinuese për qëndrimin tim:

E para, natyrisht, është qytetari. Ai vlerëson përfundimisht a ndjen që unë i duhem politikës dhe a ndjen që kam çfarë të ofroj.

E dyta, në qoftë se vlerësoj që po ballafaqohem me pamundësi objektive që të shërbej për të mirën e përgjithshme për shkak të kompleksitetit që ka politika, do ti kthehem profesionit tim ku megjithatë e kam mundësinë që prap t’i shërbej qytetarëve dhe edhe të përfaqësoj raste të ndjeshme pro bono. Në fund të fundit, për mendimin tim, politika nuk do të duhej të ishte profesion sa platformë e misioneve qëllimmira. Prandaj, edhe në mungesë të këtyre misioneve, apo mungesë të mundësisë për kontribut konkret, nuk shoh pse dikush do të duhej të qëndronte në politikë gjatë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore