Lajme

Pritet rishqyrtimi i masave anti-COVID, kërkohet heqja e orës policore dhe bartja e maskës


Ilustrim

Masat aktuale anti-COVID në Kosovë pritet të rishqyrtohen në fund të muajit nëntor. Por, Asociacioni i Komunave të Kosovës, nuk është pajtuar me vendosjen e masave të reja, derisa kërkojnë që të largohet ora policore dhe bartja e maskës në ambiente të hapura.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, në një prononcim për Albanian Post, ka thënë se meqë situata me pandeminë është stabile, sipas tij, është e pakuptimtë vazhdimi i orës policore.

“Presim që gjatë kësaj jave ta kemi takimin me MSH ku do të diskutohet situata aktuale me COVID-19 si dhe për hapat e mëtutjeshëm. Duam të besojmë që takimi, të ketë frymën e koordinimit  dhe bashkëpunimit e jo të njoftimit të vendimeve të cilat janë marrë nga niveli qendror sepse shumë veprime kanë ndodhur nga MSH pa koordinimi dhe bashkëveprimi me komunat e Kosovës”.

Sazan Ibrahimi, kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës

“Qëndrimi zyrtar i AKK-së është që masat siç janë kufizimi i lirisë së lëvizjes dhe obligimi i bartjes së maskës për personat që lëvizin vetëm në ambiente te jashtme të largohen, kjo ishte edhe kërkesa jonë e mëhershme. Nuk jemi kundër rishikimit të masave, dhe megjithëse do të jemi pjesë e takimit, nuk e dimë se çka do të diskutohet”.

Sipas tij, ulja e numrave të të infektuarve me COVID-19 nuk është rezultat i orës policore, por siç thotë ai, i vetëdijesimit të qytetarëve.

“Fatmirësisht kemi numër minimal të të infektuarve, mirëpo, kjo nuk është për shkak të orës policore por është për shkak të disiplinës së qytetarit të cilët janë vaksinuar në një përqindje të lartë”.

“Shtrohet pyetja, vallë a mos COVID-19, po e rrit intensitetin e përhapjes nga ora 24:00-05:00 të mëngjesit. Nëse Ministria e Shëndetësisë ka ndonjë argument shkencor në këtë drejtim është mirë të na e tregoj”, deklaroi Ibrahimi.

Ndërkaq, ani pse në Kosovë ende nuk është konfirmuar asnjë rast me variantin e ri të Coronavirusit, i njohur si Omicron, Kosova mund të rrezikohet nga përhapja e tij.

Kështu kanë deklaruar infektologët, të cilët kanë bërë apel te qytetarët për respektim të masave mbrojtëse, meqë ende nuk dihet shkalla e saktë e agresivitetit të këtij varianti i cili tashmë është përhapur në shumë vende të botës.

Infektologu Sali Ahmeti, ka thënë se periudha e festave të fund vitit rrit rrezikun për shfaqjen e rasteve me këtë variant të virusit edhe në Kosovë.

Infektologu, Sali Ahmeti

“Ky variant paraqet një kërcënim edhe për neve, sidomos tash afër festave të Vitit të Ri kur te ne munden të vijnë bashkëqytetarët tanë nga vende të ndryshme të botës”.

Një rrezik të mundshëm të shpërndarjes së këtij varianti në Kosovë, e ka pohuar edhe infektologu, njëherësh edhe Drejtor i Shërbimit Klinik Spitalor dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK), Valbon Krasniqi.

Drejtor i Shërbimit Klinik Spitalor dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK), Valbon Krasniqi.

“Atë që e kemi parë në variantet e tjera, është jo e besueshme që ndonjë vend mundet të kursehet. Varet edhe sa do të ketë qarkullim të njerëzve”, potencoi Krasniqi.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë në Kosovë, ka paralajmëruar se në fund të muajit nëntor do të bëhet rishqyrtimi i masave të cilat janë në fuqi dhe se do të merren masa të tjera, “sipas nevojës dhe zhvillimeve lidhur me COVID-19.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore