Lajme

Prishtinë: Një grua dënohet për terrorizëm


Ilustrim

Gjykata Themelore e Prishtinës ka shpallur fajtore të akuzuarën S.SH për veprën penale “organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist”.

Sipas njoftimit të gjykatës, e pandehura është dënuar me kusht dhe nëse ajo kryen ndonjë vepër penale brenda tre vitesh, do të dërgohen në vuajtje të dënimit me burg në kohëzgjatje prej dy vitesh.

Nëse e akuzuara gjatë kohës së verifikimit kryen një apo më  shumë vepra penale, dënimi me kusht i shqiptuar mund të revokohet, ashtu që në dënimin e vërtetuar me burgim në kohëzgjatje prej dy (2) viteve, do të llogaritet edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak, nga data 17.07.2021 deri më 16.08.2021”.

“Po ashtu e akuzuara S.SH. është urdhëruar nga gjykata që të përmbushë detyrimin – vizitë tek psikologu ose tek këshilluesit tjerë dhe veprimet në pajtim me rekomandimet e tyre dhe atë në kohëzgjatje prej 2 (dy) viteve, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi”, thuhet në njoftim.

Gjykata Themelore në njoftimin e saj nuk dha detaje se kur e akuzuara e ka kryer veprën penale dhe cilit grup terrorist i është bashkuar.

Sipas një ligji të posaçëm që Kosova miratoi gjatë vitit 2015, sanksionohet pjesëmarrja në luftëra të huaja.

Ky ligj parasheh dënime deri në 15 vjet burgim.

Ndërkaq, Kosova, me ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka rikthyer mbi 100 shtetas të saj, kryesisht gra dhe fëmijë, që kishin qenë në zonat e konfliktit në Siri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore