Kosova

Prishtina ndan 350 mijë euro për trajtimin e qenve endacakë


Diku në Prishtinë

Problemit me qentë endacakë në Prishtinë, me gjasë, shpejt do t’i vijë fundi.

Për këtë punë, Komuna e Prishtinës ka hapur tender një ditë më parë, të premten e 6 majit.

Për trajtimin e qenve të pastrehë që vardisen rrugëve të kryeqytetit, Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka ndarë 350 mijë euro.

Sipas njoftimit të komunës, trajtimi i qenve endacakë do të ndahet në 7 grupe ku do të përfshihen të gjitha lagjet e kryeqytetit dhe zonat rurale.

“Trajtimi i qenve endacak sipas përshkrimit teknik të dhënë në dosjen e tenderit”, thuhet në njoftim.

Afati i fundit për pranim të tenderëve 23 maj 2022.

Prishtina ka problem me trajtimin e qenve endacakë për tash e disa vite. Kështu çdo ditë banorët e kryeqytetit rrezikohen nga ta, çdo ditë.

Numri i madh i qenve të pranishëm në të gjithë kryeqytetin ka bërë që shumë qytetarë të jenë cak i sulmeve të tyre.

Para dy jave, pre e qenve endacak në Prishtinë ishin dy mjekë.

Njëra nga ta, mjeke, u sulmua nga një grumbull i tyre oborr të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës në 8:00 të mëngjesit.

“Sipas deklaratës së saj, ajo na ka thënë se ka qenë e sulmuar nga 10 deri 20 qenë endacakë”, kishte rrëfyer Agush Bajgora, mjek në Klinikën Emergjente në QKUK, në një prononcim për Albanian Post.

Një ditë pas këtij rasti, u bë viral lajmi se Komuna e Prishtinës doli me një njoftim se e “ka ndaluar qenin i cili dyshohet se sulmoi dy mjekë të Qendrës Klinike Universitare (QKUK)”.

Përparim Rama, kishte bërë të ditur se qeni “është kapur” dhe është ndaluar.

Kreu i Komunës së Prishtinës njoftoi se qeni nuk ishte i trajtuar me procedurat e nevojshme.

“Më vjen keq për rastin e kohës së fundit me mjekët në QKUK. Është zënë qeni dhe e kemi parë që nuk ka qenë i trajtuar. Domethënë ka ardhur nga diku. Ai tani është në mbajtje dhe do të trajtohet në bazë të proceseve ligjore dhe do të trajtohet si i tillë. Jemi duke bërë çdo gjë për ta zgjidhur problemin e qenve endacakë”, kishte thënë Rama në konferencë për medie.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore