Kosova

Prindërit vizitojnë Thaçin në Hagë


Prindërit e ish-presidentit Hashim Thaçi gjatë arritjes në Hagë.

Prindërit e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kanë shkuar të premten e 8 korrikut në Hagë për të vizituar djalin e tyre.

Pas pothuajse dy vitesh, në rrjetet sociale janë publikuar fotografi dhe video teksa shihen duke hyrë në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Prindërit e ish-presidentit Hashim Thaçi gjatë arritjes në Hagë.
Prindërit e ish-presidentit Hashim Thaçi gjatë arritjes në Hagë.

Më 26 tetor të vitit 2020 në Gjykatën Speciale në Hagë ishte konfirmuar aktakuza ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.

Akuza ndaj tyre në kohë shtrihet midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999.

Aktakuza pretendon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të “ndërmarrjes kriminale të përbashkët” kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

Më 25 shtator në Prishtinë janë arrestuar edhe krerët e Organizatës të Veteranëve të Luftës (OVL) të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Më 7 tetor, dy udhëheqësit e shoqatës u deklaruan të pafajshëm për akuzat që përfshijnë pengimin e drejtësisë, frikësimin e dëshmitarëve, hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Të dy të pandehurit i thanë kryetarit të trupit, Charles Smith, se ishin të pafajshëm për të gjitha akuzat.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale hetojnë krimet e supozuara të luftës të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore