Lajme

Prindërit e të vrarëve në  rastin “Panda” protestojnë para presidencës në Serbi


Vendi ku ndodhi vrasja e të rinjve serbë

Prindërit e të vrarëve në kafenenë “Panda” në qytetin e Pejës, në vitin 1998, kanë protestuar para objektit të presidencës në Serbi në të njëjtën kohë kur presidenti serb, Aleksandër Vuçiç po i drejtohej publikut serb.

Tre prindër të të vrarëve janë mbledhur për të protestuar, në mënyrë që të kenë takim me presidentin serb.

Njëri prej tyre, Lazar Obradoviç, ka thënë se këtë hap e kanë bërë që të jenë më “të dukshëm dhe të merren parasysh”.

“Ne ende po kërkojmë atë që kemi kërkuar prej 7-8 vitesh. Ne do të jemi këmbëngulës. Kërkojmë të na thuhet e vërteta dhe asgjë më shumë”, ka thënë Obradoviç, transmeton media opozitare serbe Nova.

Ndërsa, presidenti i Serbisë kishte premtuar me 28 shkurt se do të takonte familjarët e të vrarëve në rastin “Panda”.

Obradoviç, babai i njërit nga të vrarët, tha se “deri në vitin 2013 të gjithë kanë jetuar me bindjen se krimin ndaj të rinjve serbë e kanë kryer shqiptarët, por kryeministri i atëhershëm i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka dalë publikisht me informacione të tjera”.

“Vuçiç doli me tezën se shqiptarët s’e kanë bërë, se ai e di se çfarë ka ndodhur, por se nuk ka prova të mjaftueshme”, thotë Obradovç.

Po ashtu, prindërit e gjashtë të rinjve të vrarë më 14 dhjetor 1998 në kafenenë “Panda” të Pejës, më herët i kanë dërguar një letër të hapur presidentit serb.

Përmes kësaj letre ata i kishin kërkuar presidentit serb që t’i tregonte të dhënat se kush ishin organizatorët e këtij rasti.

Ndryshe, për një kohë të gjatë është propaganduar nga Serbia se shqiptarët janë të dyshuarit për vrasjen e gjashtë djemve serbë në kafenenë “Panda” të Pejës në vitin 1998.

Mirëpo, vetë presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, në vitin 2013 publikisht kishte deklaruar se masakrën në kafenenë “Panda” nuk e kanë bërë shqiptarët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore